U zgjova sërish rreth orës tetë, vura kafenë të ziejë, u shtriva prapë; Mirjami merrte frymë rregullisht, frymëmarrja e saj shoqëronte me një ritëm të plogët gurgullimën e mbytur të ujit. Ca shtëllunga të vockla pluskonin në ajër; për mua kishin qenë gjithnjë retë e lumturisë, bardhësia vezulluese e të cilave, thjesht sa nxirrte më në pah blunë e qiellit, retë që përfytyrojnë fëmijët kur vizatojë kasollen ideale, me një tymtar dhe një lëndinë me lule. Nuk e di ç’më shtyu të ndizja televizorin tel Itele menjëherë pasi mbusha një filxhan me kafe. Zëri ishte shumë i lartë dhe m’u desh kohë të gjeja telekomandën për të shtypur butonin “pa zë”. Por pa dobi, ajo u zgjua; ashtu me bluzë, erdhi e u struk në kanapenë e sallonit. Ai çast i shkurtër paqeje mes nesh, kishte sosur; ngrita sërish zërin e televizorit. Lajmet për bisedimet e fshehta mes Partisë Socialiste e Vëllazërisë Myslimane, ishin shoshitur në internet gjatë natës. Në stacionet Itele, BFM apo LCI, vetëm për flitej, një kronikë e posaçme transmetohej gjithë kohën. Për momentin, nuk kishte ndonjë reagim nga Manuel Valsi; por Muhamed Ben Abesi do të dilte në konferencë për shtyp në orën njëmbëdhjetë.
Topolak dhe hokatar, shpesh zevzek në përgjigjet ndaj gazetarëve, kandidati mysliman as që dukej si një nga të diplomuarit e parë të politeknikut të Francës, apo si ish-nxënës i ENA-s, në kursin Nelson Mandel- ku kishte studiuar edhe Loron Vakiezi. Të kujtonte më shumë një bakall tunizian lagjeje, plak e babxhan, që në të vërtetë ishte zanati i të atit, ndonëse ushqimorja e tij ndodhej në Neuilly-sur-Seine, dhe jo në lagjen 18, aq më pak në Bezons apo në Argenteuil.
Më shumë se kushdo, theksoi ai gjatë konferencës, kishte përfituar nga meritokracia republikane; më pak se kushdo, dëshironte ta cenonte atë sistem, të cilit i detyrohej gjithçka, deri dhe nderin më të lartë që të paraqitej në zgjedhjet e popullit francez. Ai përmendi apartamentin e vogël mbi ushqimore ku bënte detyrat e shtëpisë; përmendi kalimthi figurën e babait, me dozën e duhur të mallëngjimit, pa e tepruar; m’u duk i përkryer.
Por kishin ardhur kohë të tjera, vazhdoi ai, nuk mund ta mohonim. Gjithnjë e më shumë, familjet- qofshin hebreje, të krishtera apo myslimane- dëshironin për fëmijët e tyre një arsim që nuk kufizohej thjesht me dhënien e dijeve, por që përfshinte një edukim shpirtëror në përputhje me traditën e tyre. Kthimi te feja ishte një prirje e thellë e shoqërive tona, dhe Arsimi kombëtar nuk mund të mos merrte parasysh këtë. Qëllimi ishte zgjerimi i kornizës së shkollës republikane, mundësimi i bashkëjetesës së harmonishme midis traditave të mëdha shpirtërore- myslimane, të krishtera apo hebreje- të atdheut tonë.
Gojëmbël dhe i këndellur, fjalimi i tij vazhdoi dhe nja dhjetë minuta të tjera, para se t’i jepej fjala gazetarëve për pyetje. Kisha vënë re që nga fillimi se gazetarët më mistrecë, ma agresivë, sikur ishin magjepsur, zgërlaqur para Muhamed Ben Abesit. Megjithatë, sipas meje, mund t’i bëheshin ca pyetje me spec; heqja e arsimit miks, për shembull; ose fakti që mësuesit duhet të përqafonin fenë myslimane. Por, në fund të fundit, a nuk kishte ndodhur po e njëjta gjë tek katolikët? A nuk duhej ta pagëzoheshe për të dhënë mësim në një shkollë të krishterë? Duke e vrarë mendjen, e kuptova që nuk dija gjë për këtë dhe kur përfundoi konferenca për shtyp, vërejta se kandidati mysliman ia kishte arritur qëllimit me mua; një ndjesi e përgjithshme dyshimi, përshtypja se nuk kishte asgjë për t’u alarmuar, se nuk kishte asgjë të re në të vërtetë.
Marine le Peni sulmoi në dymbëdhjetë e gjysmë. Energjike dhe e sapokrehur, e filmuar në një kënd pakëz nga poshtë, para Bashkisë, ajo ishte pothuajse e bukur- një ndryshim i dukshëm me daljet e saj të mëparshme: që në zgjedhjet e vitit 2017, kandidatja kombëtare ishte e bindur se për të arritur pushtetin supreme, një grua duhej detyrimisht t’i ngjante Anxhela Merkelit, ndaj po mundohej të imitonte autoritetin e murrëtyer të kancelares gjermane, deri duke i kopjuar modelin e kostumeve. Por në atë mëngjes maji, ajo seç kishte rigjetur një nur, një vrull revolucionar, që të kujtonte zanafillën e lëvizjes. Prej ca kohësh kishte zëra se disa nga fjalimet ia shkruante Reno Kamyja- nën kujdesin e Florjan Fliposë. Nuk e di në ishin të vërteta ato thashetheme, por sidoqoftë, ajo kishte bërë progres të madh.
Së pari, më tronditi fryma republikane, dhe madje haptas antiklerikal, e fjalimit të saj. Duke tejkaluar referencat e rëndomta të Zhyl Ferrisë, ajo përmendi deri Kondorsenë, duke cituar fjalimin e paharrueshëm, gjatë të cilit ai përmend egjiptianët dhe indianët, “ku mendimi human arriti majat, por që ranë pre e padijes më të turpshme, pikërisht kur pushteti fetar fitoi të drejtën e edukimit të njerëzve”.
– Mendoja se ishte katolik…- tha Mirjami.
– Nuk e di, por zgjedhësit e saj nuk janë të tillë, Fronti kombëtar nuk ka çarë asnjëherë te katolikët. Ata janë grusht bashkuar dhe simpatizantë të lëvizjes për zhvillimin e vendeve të botës së tretë. Pra, ajo po përshtatet.
Ajo pa orën, bëri një gjest bezdie.
-Duhet të shkoj, Fransua. I kam premtuar prindërve se do të ha drekë me ta.
-E dinë ata që je këtu?
– Po, po nuk shqetësohem për këtë këtë; por nuk dua t’i lë të më presin për drekë.
Kisha shkuar një herë tek prindërit e saj, pikërisht në fillimet e lidhjes sonë. Banonin në një vilë në Qytezën e Luleve, pas stacionit të metrosë Brochant. Kishin një garazh, një punishte, të dukej vetja si në një qytet province kudo, përveç Parisit. Më kujtohet që darkuam në kopsht, ishte stina e aguliçeve. Qenë treguar të sjellshëm me mua, mikpritës dhe të përzemërt- pa më kushtuar ndonjë rëndësi të veçantë, gjë që më vinte për shtat. Kur i ati hapi një shishe Chateauneuf-du-Pape, kuptova Mirjami, ndonëse i kishte kaluar të njëzetat, vazhdonte të darkonte çdo mbrëmje me prindërit; se ndihmonte vëllanë e vogël për detyrat, se blinte rroba me të motrën. Ishin një tribu, një tribu familjare e bashkuar; dhe krahasuar me atë që kisha jetuar unë, ishte diçka aq e jashtëzakonshme, saqë mezi i mbajta lotët.
Ia ula zërin televizorit; gjestet e Marinë le Penit po bëheshin akoma më të gjalla, tundte grushin në ajër për një çast hapi krahin egërsisht. Pa dyshim, Mirjami do të shkonte me prindërit në Izrael, nuk kishte rrugë tjetër.
– Shpresoj të kthehem së shpejti, si thua…- tha ajo, si të m’i kishte lexuar mendimet, – thjesht do të rri ca muaj, sa të qetësohen gjërat në Francë.
Optimizmi i saj më dukej ca i tepruar, por heshta. Ajo veshi fundin.
– Sigurisht, me këto që po ndodhin, ata do të fitojnë, do ta marr vesh gjatë drekës. “Të kishim thënë, bijë…” Sigurisht, ata nuk kanë faj, mendojnë se është për të mirën time, e di.
-Ashtu është, ata nuk kanë faj. Janë vërtet shpirt njeriu.
-Po ti, çfarë do të bësh? Si mendon se do të shkojnë gjërat në fakultet?
E përcolla tek dera; atëherë e kuptova se nuk kisha idenë; kuptova se aq më bënte. E putha ëmbëlsisht në buzë, pastaj u përgjigja; -Nuk ka Izrael për mua.
Një mendim shumë i varfër; por një mendim i saktë. Pastaj, e përpiu ashensori.
*Shkëputur nga romani “Nënshtrimi” i autorit Michel Houellebecq, përkthyer nga Edit Dibra dhe botuar nga “Skanderbeg Books”
Lexo edhe:
SABRI HAMITI: BIOLETRA POETIKE
ObserverKult