Migjeni: Dhe pranvera erdhi

migjeni zeneli

…-pranvera erdhi…
Nëpër ftyrat tona rrëshqiti nji gëzim
dhe ndër zemra tona ngriti nji fole,
e nji jetë e bukur e një jetë e re,
me dëshira të shumta po buzëqesh në lulëzim.

…Dhe dallëndyshja erdhi…
Si shpirt n’ekstazë, në hovin e shejt u shtri
me qiellin rroket, me diellin puthet,
dridhen krahët në hare~ mandej poshtë vërsulet
tue dhurue me cicërim përshëndetje nji mije.

…Dhe vesa shkëlqen…
Në nji pikë t’argjendtë pasqyrohet jeta,
tërheqëse si andrra dhe si vizatimi
ndër orët e hyjzimit, kur shpërthen agimi
e rrezet e arta rrëshqasin ndër fleta.

—————————————————————

LEXO EDHE: MIGJENI: O GRUE, QË T’NDESHA NË DITËN E FATKOBIT TEM…

O grue, që të ndesha në ditën e fatkobit tem,
Kur prirja njellte e syt shikojshin zi
e ndjejshe veten se dhe unë jam fli
të një ndjesi si ti.
O grue, q’u ndeshm ditën e fatkobit tonë
zemër për zemër edhe ball për ball
e ndjesitë n’u shprehën me mall
më një vall: sa hall…
Dhe kështu në rrugë të madhe e shitmë
zemrën tonë
njerzve që vetëm një të përqeshun dhanë për të
e shkuen të kënaqun e tu’u gëzue – pse
panë mshefsinat intime të kësaj jetesës sonë.
E na, dhe një dhimbë të sinqertë tue ndijë,
vuejshin me zemër të ndrydhun si dy fëmijë
të humbun ndër vise të hueja natën vonë,
o grue, q’u ndeshme në ditën e fatkobit tonë!