Mihai Eminesku: Qëndro tek unë, kam për ty kaq dashuri!

“O qëndro, qëndro tek unë!
Kam për ty kaq dashuri!
Gjithë dëshirat që ti ke
t’i dëgjoj veç unë di;

Në të hijes errësirë
ti një ruspi i shëmbëllen
që me sytë të zinj e të urtë
në fund të ujrave vëren;

Dhe buçim si nxjerrin valët,
bari i lartë si fërmon
do të bëj të dëgjosh tinës
tufën e drerëve tek shkon;

Të shikoj, me zë të qetë,
që këndon si i magjepsur,
dhe në ujin e shkëlqyer
ti lëshon këmbën e zhveshur;

Si vështron hënën e plotë,
përmi ujërat vetëtimat.
grima ty të duken vitet,
shekuj plot të duken grimat”.

Kështu tha ngadalë pylli,
kubet lart duke m’i tundur,
vërshëlleja kur më thiri
dhe në fushë dola i lumtur.

Po sot prapë në u kthefsha,
më s’mund ta kuptoj si dje…
Ku je vallë, djalëri,
me pyll e me gjithë ç’ke?

Përktheu: Lasgush Poradeci

ObserverKult

——————————-

Lexo edhe:

M.EMINESKU: LERMË TË DIGJEM PRUSH NGA MALLI!

emisesku qëndro

Pasi prej kohe kaq të gjatë
ne s’thamë asnjë fjalë,
më ngjan sikur harruam fare
ç’u deshëm me aq mall!

Tani të ëmbël e të zbehtë
të shoh kaq pranë meje-
lermë të ulem si dikur
në gjunjë para teje!

Lermë të digjem prush nga malli,
t’i puth duar e tua.
O doçkëza ju ç’kini bërë
kaq kohë larg, pa mua!

Në shqip: Perikli Jorgoni