Duheshe të mos ndodhesha unë që të mirrnja anë në luftën e Mashkullores, se fuqia ime është e dobët për ta përshkruar e zugrafisur ashtu sikundër ngjajti. Duheshe pendë historiografi, të sosur, duheshe penda e një mjeshtri të vërtetë, duheshe të ndodheshe një shkencëtor ushtëriak edhe duheshe që të ndodheshe një kqyrës i luftës, se vetëm atëhere do të përshkruanin të vërtetën.
Vetëm e vetëm këta do të muntnin që të përshkronin edhe zugrafisnin hollësisht këtë luftë, e cila meriton një histori të tërë, se vetëm atëherë do të mësonte edhe kuptonte pritmja e kombit tënë, që qysh dinin të mbushin detyrën e tyre për atdhenë, duke lëftuar, si qëmoti, për t’u lënë bijvet të tyre lirinë me flamurin e shenjtë që të valonjë përmbi Shqipërinë!
Fati pra e kishte rojtur për mua që të ndodhem atje, edhe të marr pjesë në këtë luftë për liri, prandaj u kërkonj ndjesë këndonjësvet që nuk mund të mbush këtë barrë, me gjithë hollësitë, duke u lënë të tjerëve, të zotërit për këtë, që ta përshkruajnë edhe rrëfejnë të gjallë, siç meriton edhe qysh ngjajti lufta e Mashkullores.
Do të përpiqem, me sa më është e mundur që të përmbleth me pak fjalë ngjarjet e kësaj lufte, e cila ka për të mbetur e paharruarë edhe historike, në historinë e ringjalljes së Shqipërisë, se trimëri e kësaj lufte do të mbetet shëmbëll për pritmjen, se u nderuan armët e Shqipërisë si në kohët e Skenderbeut.
Ishte e martë mbrëma, duke u gdhirë e merkurë, 5 Mars 1908, kur ramë të flemë të qetuar që s’ka gjesendi. Edhe me të vërtetë gjithë natën, as ndonjë shenjë nuk kishim kuptuar që ishim të gjurmuar, po kur ngrihet Çerçizi heth sytë në dritare edhe më thotë:
Mihal, eja shih: djem shkolle janë, a njerëz?
Vështronj po nuk zgjidheshin mirë, kurse Çerçizi, me të hedhur dylbinë, bërtet:
O burrani, shokë, se na rrethojti ushtëria!
Në këtë fjalë, ngrihen të tmerruar gjithë shokët edhe me vrap rrëmbyen trajstat, gunat, armet edhe ca të mbathure ca të xbathur u rrëzuam në katua e që atje, duke kapërxyer një mur, duallmë përjashta. Atje, pamë që ishim në rrezik të math po të delnim në shesh.
Prandaj muarmë një përrua të thellë shumë, plot me shkëmbinj edhe plot me ujë.
Në krye, ushtëria nuk na vërejti aspak, meqënëqë ata drejtoheshin tek shtëpia, edhe kësisoj do të mos ishim goditur, po të mos u bërtiste një tradhëtor, edhe t’u tregonte rrugën tonë. Ky bukurosh trathëtor, na kishte mësuar siç duket, se me të vajtur në Gjirokastër sa që kishte arrirë ushtëria edhe i lajmëron për neve, kështu që me vrap i dërguan, nën kumandë të oficerit Nexhadin edhe të një tjatri.
Kur shkonin me nxitim, në përrua, përnjëherjesh dëgjojmë buçimin e trumbetës edhe me vrap zunë plumbat të na shkojnë përmbi krye, duke fëshëllitur! Ah! ishte një moment që nuk munt ta tregonj dot! Zëri i trumbetës, të cilin e dëgjonim për të parën herë kur urdhronte zjarr, na tmerrojti tepër se ishte një zë i tmerrshëm, një zë që na ngrinte leshrat përpjetë se, me të vërtetë, ishte zëri i vdekjes!
Gjithë kësisoj edhe fërshëllimi i pushkëvet, që vinin si breshëri përmbi krye, na shurdhonin veshët, po duke i dhënë shoku-shokut kurajo edhe duke rënë ku këtu, ku atje, u mësuam edhe nuk na bënim nonjë përshtypje!
Ushtarët, duke u rrëzuar që përpjetë, na e prenë udhën edhe do të na kishin vrarë që të gjithëve, po të mos ishin Çerçizi me Asllanin, të cilët, më të shpejtë nga këmbët, nxitonin edhe muntnë të zenë një haur te rrëzuar, ku vetëm gurët kishin mbetur. Që atje me vrap u hapnë zjarr ushtarëve , duke u shtrirë dy prej tyre, kështu që ua prenë hovin e sulmin edhe kësisoj muntmë të arrimë e neve gjer atje.
Vërtetë arrimë, po për fat të zi, jo të gjithë. Haredin Tremishti ra dy pashë lark meje për nder të Shqipërisë edhe të lirisë! Një plumb i armikut i kishte shpuar kryet tej-përtej, edhe shpirti i fluturojti në qiell! I rashë më këmbë që të ngrihet, po ay nuk lëvizi. I hodha sytë që ta shoh, për të fundit herë, edhe pashë që një bukuri prej engjëlli i kishte rënë mbi fytyrë e zbritur prej qiellit! Psherëtita edhe ngrita sytë në qiell , duke iu lutur Perendisë ta ketë në prehje shpirtin e Haredinit, të atij djaloshi trim, guximtar edhe të urtë, që ra dëshmor, duke derdhur gjakun e tij për lirinë e Shqipërisë.
Historia kombëtare le ta ketë në gji të saj emrin e këtij dëshmori trim, edhe të rinjtë le të marrën shëmbëll nga Haredin Tremishti, që ra mbi alltarin të atdheut për lirinë e Shqipërisë!!!
Kur arriva unë ne shokët edhe më pyesnin për Haredinin, të gjithë u pikëlluan edhe derdhë lorë për gjëmën e madhe që na kish gjetur. Po Çerçizi e mblodhi veten edhe thotë të rronjë Shqipëria se edhe neve, gjithë si Haredini do të vritemi, po o burrani, shokë, të zëmë vënde që të luftojmë burrërisht. U rregulluam duke marrë ballin Çerçizit, Zemani edhe Myftari, unë me Asllanin muarmë anën për t’u mprojtur krahët nga armiku. Sa për Hiton, duke kërkuar të zinte vënt, ne muri i një are, ushtarët ja prenë rrugën edhe kësisoj u arratis.
Më orën 7 zuri lufta e rregullshme edhe e rreptë.
Ushtëria ishte përhapur edhe na kish rrethuar nga gjithë anët, edhe që andej na lëftonte. Nuk dua të shtonj, po përkundrazi, të pakësonj numrin e ushtërisë që përbëneshe prej më tepër se 150 shpirt, kurse neve nuk ishim siç dihet, pesë shpirt. Përveç kësaj nuk duhet harruar që neve bënim ekonomi të madhe në fishekët, se gjithnjë Çerçizi bërtiste: mos harxhoni, o shokë, fishekët më kot.
Plumbat na vinin si breshëri, po neve qëndronim si ca statuta, në vëndet tona, edhe u përgjigjeshim me plumba, po duke qëlluar edhe me këngë kombëtare.
Kërkonj ndjesë, s emë mungon fuqia e duhur , për të treguar, zbukuruar edhe stolisur, siç meriton, burrërinë dhe trimërinë që tregojti trimi ynë Kapitan, luftëtari i madh edhe i patrëmbur që nderojti armët e Shqipërisë! Po Kapitani ynë i shtrenjtë, Çerçizi, u tregua si një dragua në këtë luftë, kështu që historia kombëtare do të mburret me emrin e këtij djali të ri, po burri të math të Shqipërisë.
Vetëm edhe vetëm atëhere munda të besonj historinë e kombit tënë me burrërinë edhe trimërinë e stërgjyshëvet tanë. Atëherë vetëm munda të kuptonj e të çmonj vleftën e këtij djali trim, të cilit, me gjithë që ishte rritur i përkëdhelur, nuk i trembeshe syri kurrë nga vdekja!
Zbathur, lakuriq, karos, me leshrat përpjetë vërtiteshe me gjithë anët si një kumandant i math me pushkën në dorë edhe gjashtoren në dhëmbë duke na mburrur neve edhe duke qëlluar mbi ushtarët! Fytyra e tij, këtë ditë, ishte më e çelur se kurdoherë, edhe jo sikur lëftonte, po sikur këcente.
Shumë herë e qërtonja edhe e këshillonja që të mos nxjerrte kryet përjashta, nga mprojtjet me gurë që kishim forcuar, meqenëqë Çerçizi shumë herë nxirrte kryet përjashta që t’u fliste ushtarëve turqisht, që të hiqeshin mënjanë edhe mos vriteshin vëlla me vëlla. Oficerët prapë i ftonte të dalin në shesh e të lëftonin, një për një, po ata të fshehur i përgjigjeshin me dinakëri e me fjalë të ëmbla që të jepemi, se u vinte keq të vritemi, duke, u zotuar, jo vetëm, falje, po edhe nga një rytbe të madhe nga Patishahu!
Me këto mënyra anadollakët përpiqeshin të na humbasën guximin e të na demoralizojnë, prandaj Çerçizi, duke i sharë rëndë, nxirrte kryet edhe u thosh: jemi bijtë e Skënderbeut edhe nuk jepemi, po do të lëftojmë gjer në orën e fundit, se shqiptari di të vdesë, pas zakonit, me nder për atdhenë. Mirëpo, ushtarët këtë prisnin, që të nxirrte pakëz kryet Çerçizi që, pas urdhërit që kishin, me vrap të shtinin që të gjithë përmbi atë.
Ah! edhe sot e sjell nër mënt tmerrin e math që kam ndjerë, kur pash Çerçizin që t’i derdhet gjak prej ballit, edhe i verdhë si dylli i thom me dëshpërim: E ç’na bëre, more derëzi, që na preve krahët? Pse nuk dëgjon këshillat e mia, po të gënjyen turqit gjer të plagosnë?
Vrapova t’i jap ndihmën e duhur, kur Çerçizi duke fshirë gjakun më thotë: mos u-dëshpëro Mihal, se nuk jam plagosur, po një çiflë, prej guri, më goditi edhe me zëmërim qëlloi ushtarin që e kish qëlluar edhe e shtriri për dhe.
Çerçizi qëllon kaq mirë, sa të rrallë besonj të ndodhen të këtillë qëllonjës. Një ushtar, i cili kishte zënë një vënt të fortë, e vravi edhe ky mbeti i mbërthyer vëndit. Po Çerçizi e pandehte të gjallë, prandaj sa herë që vërtiteshe e qëllonte, kështu që e kishte shpuar me radhë 16 herë në krahëror!
Kësisoj, luftuam gjer në orën 2 pas dreke, kur dëgjojmë trumpetën të buçasë. Gjer në atë kohë ishin vrarë 8 ushtarë edhe buçimi i trumbetës ishte shënja që të mblidhen ushtarët. Neve pandehmë që do të shkonin, edhe u gëzuam, po oficerët i mblodhë që t’u japin të tjera urdhëra, se pa shkuar as 5 sekonda nisi, në buçim të trumbetës, një luftë kaq e rreptë, sa nuk tregonet.
Plumbat na vinin rrëke, si breshëri edhe të pareshtura, kaq dëndur sa nuk muntnim të zbrazim dot ndonjë pushkë.
Plani i oficerëvet ishte që shumica e ushtarëvet të mbante një zjarr të pareshtur, kurse pakica nën hije të plumbavet, të afrohesh edhe të na shtrëngonte të jepeshim ose të na vrisnin. Ky plan ishte fort bukur pregatitur, po guximtari edhe trimi ynë Kapitan Çerçizi me gjashtoren prej 10, si ndonjë luan i qëndronte që të mos afroheshin, duke na thënë edhe neve që të shtijem, verbërisht, për t’i frikësuar edhe mos guxojnë që të afrohen pranë nesh.
Kjo luftë, kaq e rreptë, mbajti gjer më orën 4-5 edhe pastaj, si e panë që plani i tyre nuk u solli nonjë dobi, zunë ta rrallojnë luftën edhe ca nga ca të hiqen, të lodhur të lagur edhe të dëshëpruar, duke lënë edhe dy të vrarë!
Në këtë luftë na u plagos Myftari, i cili lëftojti kaq trimërisht, sa na habiti të gjithëvet. Aqë më tepër, unë jam çuditur, meqenëse kur na u shoqërua Myftari, pandeha që do të ishte një barrë e rëndë për neve, se dukeshe m’i fuqishmë nga unë, po, mjerisht, isha i gënjyer në besimin tim, se në këtë luftë Myftari tregojti që me të vëetetë i rrithte gjak prej shqiptari në rrëmbat e tij. Pa u drojtur, pa u ttrembur aspak lëftojti si një dragua!
Kur u plagos, u hoq pak mënjanë edhe, duke qeshur, na thotë: -Më gërvishtnë pak të liqtë. Unë u trëmba edhe me vrap i shtërngojta palgën me një brez, pa e xhveshur, edhe duke i dhënë guxim , I thom që s’ka gjësendi po Myftari më përgjigjet burrërisht e ç’do të ketë, more Mihal, më tepër se një vdekje për nder të Shqipërisë!
Plaga zuri t’i ftohet edhe, ahere, zuri të ndjente dhëmka; prandaj i gjori Myftar na lutet që të mos e lëmë të gjallë të bjerë në dorë të ushtërisë, po t’i marrim kryet. Ishim fort shumë të mallëngjyer e të dëshpëruar për gjendjen të Myftarit. Po duheshe t’i japim kurajo se shpresën nuk e kishim humbur.
Meqenëqë lufta u rrallua, edhe vetëm kur e kur na vinte nga nonjë plumb, shkundmë xhepat për të mbledhur fundrat e duhanit edhe kësisoj muntmë të bëjmë një cigare të hollë, nga e cila thëthimë që të gjithë nga një herë, përveç Myftarit që i lamë gjysmën. Kjo ishte e vetmja cigare që kemi thëthirë atë ditë! Sa për të ngrënë , nuk kishim asnjë kafshitë! Përveç luftës e mungesës së bukës së duhanit, gjithë këtë ditë e kemi shkuar me shi edhe me breshër.
Më orën 5, vjen mytesarifi nga Gjirokastra, i rrethuar me zyrtarët e ushtrisë, doktorë edhe farmacistë për t’u dhënë ndihmë të plagosurvet. Prapa tyreve ardhi tjatër ushtëri e përzjerë me xhandarë, për të çkëmbyer ushtarët e parë, të cilët , të dërmuar nga lufta e nga shiu edhe duke lënë 10 shokë të vrarë, shkuan pa ndonjë rregull për në fshat.
Mytesarifin, zyrtarët edhe ushtarët munt t’i qëllonim edhe t’i vrisnim shumë më lehtë nga ata, meqënësë vinin drejt neve, po nuk qëlluam duke pandehur që pësimi i të parëvet do t’u bëheshe mësim, mirëpo ushtarët, pa një pa dy, zunë vënde në repat edhe na hapnë zjarr.
Të shtrënguar atëhere, u përgjigjmë edhe neve me zjarr,po më përpara i këshilluam që të mos luftonin.
Mjerisht, këshillat tona nuk i dëgjuan edhe luftuam gjersa u ngrys, duke lënë këta tre të vrarë. Të këtillë fund mori lufta e Mashkullores me 5 të Marsit 1908. Midis të pafajshmëvet edhe të mjerëvet ushtarë, që u vranë e mbetnë lark atdheut tyre, u vra edhe i fëlliquri tradhëtor, duke marrë prej Çerçizit një plumb në ballë për çpagimin e tradhëtisë!!!
Shkëputur nga “Novela dhe kujtime”
Përgatiti: ObserverKult
————–
Lexo edhe:
CIKËL POETIK NGA ANILA TOTO: NJË GRUA NË DRITARE
Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Anila Toto:
Lulëkuqja
Një lulëkuqe këtë mëngjes
çelet ngadalë e ashtu paqësisht.
I hap petalet lehtë përmbi vesë
derisa shpaloset plotësisht.
Duket sikur ka mbirë nga gjaku
se dashuri më zgjon dhe malle.
Oh, ç’bir i shqipes për së largu
është mishëruar ndër petale?
Vjen nga kohët ashtu i heshtur
në një lulekuqëz, kuq e zi…
Asnjë flamur nga bijtë e vdekur
s’u kthye në lule e prapë të mbijë.
Nga drita e saj nis çelet toka
e zbukurohet gjithë ky vend.
Një lulekuqe e ndryshon bota
ndryshon gjithë jeta në planet.
Tetori rozë
Ti motra ime lart në qiell
Që dhimbja të është lehtësuar
Që natën ti më bëhesh diell
E ditën, hëna e munguar.
Më ndjek nga pas një ndjenjë e butë
Që kohët ty t’i la në mes
Nga toka dhimbja u shkëput
E dritë t’i ktheu lart në qiell.
Një shoqe e kam në dhe të huaj
Lufton çdo ditë aty për jetën,
Por dhimbjet nuk e kanë lënduar
E fati i saj nuk e la vetëm.
Ja edhe një mike vjen nga larg
Pa flokë në kokë dhe e tjetërsuar
Me shumë krenari, por fjalëpak
Tregon se tashmë e ka kaluar…
Kudo në botë ka mijëra gra
Që në emër të jetës, Atit dhe birit
Luftojnë të fitojnë me shkencë e fat
Sëmundjen e kanserit të gjirit.
Ne jemi femra, bija dhe gra
E mbajmë mbi supe jo vetëm jetën
Familjet tona do të vuajnë më pak
Me një kontroll mjekësor të vetëm.
Njerëz të bukur
Kam parë njerëz të bukur
Që falin përditë gëzime.
Dhimbjeve nuk iu përulën
e qeshin edhe ndër dhimbje.
Kam parë njerëz të mirë
Që njohin veç dashuri.
I kthejnë në fat mundimet
e hallet në mirësi.
Kam parë njerëz të thjeshtë
Që duan gjithçka që çel.
Edhe në dimrat më të egër.
mbjellin nga një pranverë.
Një grua në dritare
Në një dritare të vogël në qytet
Një grua e vetmuar flet me yjet.
Gjithë errësira që mbi supe i zbret
Ndriçohet veçse nga drita e syve.
Çudi dhe yjet, pa shih si i binden,
I thurrin kurorë të artë mbi kokë.
Duket se zgjohet gjithë galaktika
Të buzëqeshë një femër në tokë.
Gratë serioze
Gratë serioze mbajnë një dhimbje që i ka plakur
Një dëshirë që vdiq e u ngjit lart në qiell
Një lëndim që kurrë nuk e kanë shfaqur
Edhe kurajon për të mos falur lehtë.
Gratë serioze kanë një forcë të çuditshme
Dedikohen dhe mohojnë gjithçka nga vetja
Mundet të të japin edhe trupin e shpirtin
Edhe prapë të mbeten të shenjta.
Gratë serioze projektojnë gjëra madhore
Rrisin fëmijët dhe luftojnë për ideale
Nuk qajnë e ankohen, vështirë të jenë fajtore
Nuk ndihen kurrë rivale.
Gratë serioze nuk tremben as nga vetja
Nuk lyhen e nuk u ikën kurrë moda
Vishen thjeshtë ose me rroba të shtrenjta,
Por ngrihen të larta si ikona.
Unë
Të kam dashur,
Çmendurisht të kam dashur!
Dhe pse dashuritë thonë
s’rrojnë përjetësisht.
Poezitë e tjera mund ti lexoni KËTU:
JORGO BLLACI: BALADA E LOTIT
Vendosën ta godisnin me gurë
Marie Madalenën e gjorë,
Burrat që s’arritën ta shtinin dot në dorë,
Gratë ziliqare për lirinë e saj të shthurur
Dhe pleqtë inatçorë.
Po duke ndjekur udhën andej pari,
I biri i perëndisë u ndal aty për fat
Dhe urdhëroi:
– Të godasë i pari
Ai që asnjëherë s’ka rënë në mëkat!
Rrëmeti u shtang…
Legjenda kaq na thotë.
Por sapo biri i qiellit u largua,
Turmës kokëfortë
Demoni i mllefit përsëri iu zgjua.
Veç si të bënin? Frika e ndëshkimit
Ua mpinte krahët, gurët sa rrëmbenin
Dhe gati sa s’pëllcisnin prej tërbimit,
Që s’gjenin dot mënyrën si ta shfrenin
Hakmarrjen mbi të gjorën Marie Madalenë.
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult