Milazim Krasniqi: Lutja e fundit e Hysni Zhuniqit

Kurrë nuk kam besuar se do të ndodhte kështu
Të fshihesha e të mos merrja as frymë,
Nga frika se do të na gjejnë edhe këtu
Në këtë kanal të braktisur, brymosur me brymë.

E kam menduar ndryshe jetën prej plaku
Si një përrallë që tregohet ngadalë,
Një nate të gjatë dimri ndanë oxhaku,
Ndërsa nipat e mbesat të dëgjojnë pa fjalë.

Aq shumë përralla desha t’u tregojë,
Derisa të bëheshin dhëndurë e nuse.
Pastaj secili në fatin e vet të mbarë të shkojë,
Ndërsa unë të mbahem vetëm për kërrute.

E kam menduar jetën time edhe si një këngë
Që këndohet në gazmende e në dasma,
Dhe nuk shuhet as kur sëmuresh rëndë,
As kur zëri të ngjiret keqas nga astma.

E kam menduar jetën si një udhëtim të bukur
Duke kënduar për imam Aliun ilahi.*
E kam menduar pleqërinë time të lumtur,
Te dëlirë, si një borë të bardhë në vrri.

Bile kur djemtë e gjithë të tjerët u larguan,
Unë vendosa të rrija fillikat në shtëpi.
Më mërzitën në ndarje e më përmalluan
Por besoja se do të shiheshim përsëri.

As tash nuk di ku janë, çikat as djemtë
Se nga janë degëdisur veç një Zot e di,
Kur u ndamë seç m’u morën pakëz mendtë
E nuk i pyeta në po niseshin për Shqipëri.

Besoj që andej janë nisur që të gjithë
Dhe uroj që të gjithë atje të kenë mbërritur.
Rrugë të tjera nuk na mbeten as nuk kish
Pos në Shqipëri, për të cilën qemë zhuritur.

Këndej na e dogjën tokën me zjarr e hekur,
I kanë bërë shkrumb e hi, fushë e arë.
Nuk kanë lënë gjë pa djegur e pa pjekur
Hiena të veshura si policë e ushtarë.

Tashmë te përroi pushkët pushuan,
Edhe vajet e rënkimet e viktimave po fashiten.
Nuk e di hienat a janë ende aty, a shkuan,
Apo, mos o Zot, neve po na aviten?!

Po dëgjoj hapa që afrohen me ngut,
Mundet që më bëjnë veshët nga mërzia.
Po i them vetes: burrë, mos u tut!
Bëhu trim, si na mëson hazreti Alia.

S’ kanë ç’na bëjnë, edhe nëse na gjejnë
Sado që janë për gjak të tërbuar.
Këngët nuk mund të na i rërmbejnë .
As shpirtin që Zotit moti ia kemi dorëzuar.

Po i ndjej më afër, ata duhet të jenë,
Kanë hap të rëndë, edhe ulërima po lëshojnë.
Edhe me ne të katërt këtu, lehtë do ta kenë,
Nuk kemi as fuqi që të rënkojmë.

Shoh Irfanin të zbehur tej mase, lebetitet.
Djalë i ri ende, në stinën më të mirë.
Sedati vjedh me sy, shikon qiellin e dridhet
Ndërsa hoxha lutet me një psherëtimë të mirë.

Au, na hetuan, na gjetën, ja po na afrohen
Po shtien në ajër, afrohen triumfues.
Ndalen para nesh, serbisht na drejtohen
“Ustajte”* dhe marrin pozicion luftues.

Ua lexoj mendimin në sy, si nishanin në krahë,
E di saktësisht që do të na bëjnë fli,
Kështu nuk e pata menduar fundin, ja Allah,
Besoja se do të më merrje në liri.

Por s’paska qenë e thënë të vdisja në liri
Edhe pse e ndieja që do të vinte sivjet,
Paska qenë e shkruar të ndahesha në robëri
Po liria po vjen, lumë kush e prêt. *

U gatitën, na shikojnë, presin urdhërin.
Ne presim gjithashtu, të mekur.
M’u duk që e pashë kur u shkrep, plumbin
Ja, më goditi, disi ftohtë, po më lë të vdekur.

Zot, merrna në mëshirën tënde të pakufi,
Pranona në amshim si martirë,
Ndërsa Kosovën tonë brymoje me liri,
Që varret të paktën t’i kemi në një tokë të lirë.

(4 dhjetor 2015)
(Nga vëllimi ‘Poezia dhe vdekja”, Logos A, Shkup)

*Bujk nga fshati Bellacërkë (Fortesë) e Rahovecit, po edhe këngëtar i njohur i asaj ane. I ekzekutuar nga forcta policore serbe më 25 mars 1999 në fshatin e tij, në një kanal ujitjeje, ku ishin fshehur bashkë me miqtë e tij, Irfan e Sedat Popajn, kushërinjtë e tij, Agimin e Mejdinë dhe hoxhën e fshatit. Të gjashtit të ekzekutuar nga afërsia dhe të lënë të pavarrosur për disa ditë.
* Hysniu ishte i veshur dervish dhe ishte i njohur për këndimin e ilahive.
*Ngrihuni!
* Kur ishte ndarë nga e bija, Edibja, (ime shoqe) pak para vrasjes së tij, i kishte thënë se liria po vinte dhe lumë kush do ta priste!

ObserverKult