Milazim Krasniqi: Pritja e Ukshin Hotit

Tërë kohën kam qenë i keqkuptuar
Nga të gjithë, të njohur e të panjohur,
Por asnjëherë nuk jam zemëruar
As nuk jam stepur, as jam ftohur.

E dija se s’donin të më kuptonin
Pasi ajo që u thoja ishte e vërtetë,
Të vërtetën e hidhur nuk e donin
Siç nuk e duan për sëmundjen një tabletë.

E hidhur ishte ajo që po u thoja
Ose ta bënin, ose të vdisnin!
Unë shtiresha që nuk po e kuptoja
Që ata donin vetëm të prisnin.

Të prisnin Godonë, a këdo tjetër
Që ai për ta të bëhej fli.
T’ua sillte lirinë si urim në një copë letër
Dhe t’i linte të bënin me të orgji.

Ata pritën kokulur dhe në heshtje
Zgjodhën një jetë pa dinjitet,
Unë u shkëputa, jo pa dhembje
Por zgjodha flijimin si jetë.

Dhe ja ku jemi tash, ata dhe unë,
Ata në një liri që nuk ua kënaq shpirtin,
Ndërsa unë këtu, në askund,
Duke pritur ta kem një varr timin.

Po pres këtu në askohë për një varr
I keqkuptuar si një sentencë latine.
Ju bëni sikur e gëzoni lirinë, o shqiptarë,
Por liri s’keni, pa ndjesën time.