Mimoza Ahmeti: Përgatitu për jetë

mimoza ahmeti

Do të qaj duart e tij të buta e të plota-
si dy bukë të ëmbla, të mëdha e të ngrohta,
plot afsh arome të mirë
që më rroknin me to, duke më përfshirë-
kyçet të mbyllnin deltën e llërëve eshtrore
për të shtrydhur fort gurrën e lumturisë sonë
çmendurore.
Burrë e grua, burrë e grua-
më në fund, një herë në jetë-
siç dua!
Përplasjet në mure të hijeve të trupave të
stërzmadhuar
shpërthimet mitike të zemrave, pulset rrahës
të pazbuluar
Ashtin e atij gjoksi, para kohe plakur nga
udhëtimi, dekalcifikimi,
privimi i jetës, mbrojtja e vetvetes, fillikatia-
si kërkimi…
Shtrëngimin dashurisht –
më ruante sikur nata do më vidhte nga
krahët e tij,
sikur nesër
do të shkonte të ekzekutohej për një ideal
që nuk u çmua,
por u tentua…
Një i braktisur nga ndërrime
kontinentesh e civilizimesh ,
burrë i shkatërruar aksioni,
shkallmuar nga dyshimi më shumë sesa
pasioni,
bukuri e një deliri të paarritshem për nga
hiri,
gjini rrallësie, pikuar e mikluar me buisje
qerpikësh të dendur, të zinj
dhe hatërmbetje fëmije

Shpresoj ta takoj prapë gërmadhën e tij
madhështore,
të puth buzët e tij të shkrumëta, ende
mishtore
të shkrihem me të qeshurën gjigante të
qenies së tij humusore,
me melodinë e tij unike-skizofrenike-
mashkullore.

Më digjnin thembrat prej gacave të fshehura
në hirin e së kaluarës së tij.
Tym dilte anash kërcinjve të mi nga zjarri i ri
që kishte rënë.
-Unë jam një burrë që digjet –më tha ai.
-Epo, unë jam një grua që ndrit-thashë me vete.
Humbje e madhe e jetës sime humbja e atij
burri-nëse vërtet e kam humbur…
Me siguri do të qeshë e vdekur tani,
sikur, shtatë vite më parë, një çunak hispanik
prej nëne vjeneze,
të mos qe vetëvrarë për mua
vetëm për të më bindur se në këtë botë
ende dikushi mund të më donte.

E kam të gjallë tulipanin e trupit të tij të bardhë,
petalen purpur të buzës së tij –nëntëmbëdhjetë,
diellin e nishanave në qendër të kurmit viskoz,
kur me duart e mia e varrosa vogëlushin në
lëndinën e pjergullave të Vienës
nën simfoninë e “Ringjalljes”,
të të paharrueshmit Mahler,
i cili dy herë më pëshpëriti pranë shpirtit!
“Përgatitu për jetë , përgatitu për jetë!
Vdis për të kërkuar jetën!”