Mimoza Çobo: Eja i shtrenjti im…

Eja i shtrenjti im, zbrit nën lëkurë,
muret e mishta m’i bëj thërrime,
në hipodermë, s’ke zbritur kurrë,
indin dhjamor ndiz me prushërime!

Pastaj shkëndijën merre me gjuhë
urdhëro buzën të bëjë pushtime,
gonxhe të nxehta të lërë gjithkund,
të përcëllojnë gjithë qënien time.

Ti mos u ndal nga të ëmblat dhimbje,
nga afshi gruas, që djeg çdo burrë,
thuaji shpirtit, në zjarr le të digjet,
ndiz hojen e mishtë, o sot, o kurrë!

Dhe mbill qeliza, me oreksion cmendurie,
të thithin hekur kudo nëpër plazmë,
gjakun ta kthejmë në uragan dashurie,
të lidhemi kimisht me orgazmë.

Triumfin ndiej, kur më prek në mish,
teksa rënkon me psherëtima,
ringjallje kërkon, tek digjesh si pish,
kur gjunjtë këputen me ulërima.

Se unë dhe ti rrëzojmë mure me brymë,
s’pyesim nëse mbi ne bie breshër,
kur gjaku i dashurisë na djeg me frymë,
përtërijmë universin gjer në eshtër.

Eja i shtrenjti im, zbrit nën lëkurë,
muret e mishta m’i bëj thërrime,
në hipodermë, s’ke zbritur kurrë,
indin dhjamor ndiz me prushërime!