Poezi nga Mimoza Çobo
Pa ty, dritën e syve nuk e dua.
Ç’qenke për mua, moj e bekuar!
Drithërim muzgu nën qiell të purpuruar.
Vesë e gjelbër shpirti,
në qerpikun e lumbardhës,
rigëtim jete në bulbin e farës.
Puhizë e butë livadhi,
si pupla e një zogu,
që zbret avash, avash mbi një lule shtogu.
Nën aureolën tënde përgjërohem unë,
flladi yt më përkund,
mbi një plis dheu, larë në shi të butë.
Më hedh mbi buzë ca gjethe ere,
petale temjani me erë,
pikëllimin e shtërgut nën një qiell me re.
Ç’qenke për mua, moj e bekuar, ti!
Parajsa që më thërret,
nën kreshtën, me vesë trëndeline në gji.
Mall i ngjizur në asht,
ninullë e paqtë fëmijërie,
nën një muzg vjeshte, me diell perëndie.
Piskamë me tinguj fanfare,
në sqepin e shqiponjës,
zbardhëllimë drite në shtatin e shqotës.
Ç’qenke ti, për mua,
moj vendlindje e bekuar!
Një boçe dheu, me mall e breng mëkuar.
ObserverKult
Lexo edhe:
MIMOZA ÇOBO: KUR NJË GRUA TË DO…
Poezi nga Mimoza Çobo
Kur një grua të do, të lidh me fashë të zjarrtë,
avullon djersën e saj të ngjitesh reve lartë,
zbret ujvarë nga alpet mbi përroin e thatë,
spërkat me bulëza uji, zambakët e pritjes së gjatë.
Kur një grua të do, lumturia troket në derë,
dimri me flokë ngrice nga dritarja del,
se dashuria e një gruaje kthen dimrin në verë,
gonxhes së paçelur, me frymë i thotë, çel!
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult