Mimoza Çobo: Më ka marrë malli për plakat zemërbardha të fshatit

Poezi nga Mimoza Çobo

Më ka marrë malli për plakat zemërbardha të fshatit,
për të qeshurën e tyre, që ndihet gjer përtej,
për zjarrin e sinqertë, që mbajnë brenda gjirit,
për mbrëmjet kur lagjja mbushet me aheng.

Nëse më dallojnë, në horizont për së largu,
shaminë e dorës nxjerrin, furtunë nga xhepi,
e tundin tek dora dhe kur shiu e ka lagur.
Eh, sa më gufon zemra kur e di si më presin !

E, i bëjnë zë nënës sime:”Dil se erdhi vajza !”…
Dhe po të mos jetë mirë, tek pragu del nëna,
fillojnë dhe buzëqeshin, si dritëzimet e paqta,
derisa mbërrij afër më kundrojnë si te jem hëna.

Pa nis, e i takoj e jua puth duart me radhë,
teksa më prekin flokët e më puthin në ballë,
mos të paftë syri i lig, -thonë,- se na sjellë beharë,
na nxjerrë mallin e fëmijëve, mall që digjet zjarr.

Dhe gjirin hap një çast, të heq mallin që kam,
të ulem në prehër të nënës e të këndoj me gaz,
të qesh me shakatë e bukura që thurin me takt,
t’u lexoj vargje shpirti dhe pse loti do u shkas.

Pa nisin urdhërojnë nuset; na sillni kafetë kajmak,
fillojnë thashathemet e bardha, që shonin në filxhan,
“këmba rrugë floriri të shkel”,e më thonë: ke fat,
sa kënaqem me humorin e tyre, dhe i dua me xhan.

Njëra skrapalleshkë, tjetrën e thërrasin korçarkë,
njëra mallakastriote, mamasë sime i thonë, çamkë,
o po lëre se ç’vete, shumë zakone në një fshat,
por hanë e pinë dhe ngjyejnë kafshatën bashkë…

ObserverKult


mimoza Guxoj të puth rrënjët e shpirtit, se të dua, dua fuqinë legjendare, që rrezaton si burrë, guxoj të admiroj nurin e bukurive të tua, nurin e thjeshtësisë, që nuk vyshket kurrë.

Lexo edhe:

MIMOZA ÇOBO: TË THINJEMI BASHKË…

Poezi nga Mimoza Çobo

Kur mëngjesi vjen ëmbël, ti buzëqesh,
e unë, si pikë vese njomë gishtat e tua.
E ndjen burrë i dashur, jetën si rrëshqet,
ngjyrave agimore e perëndimeve purpuruar!…

Mos numëro orët dhe minutat çdo çast!
Se krahëve derdhem unë porsi diell i kuq,
gjirit dal si hëna llamburit natën e gjatë,
nën dritëzën e saj, shpirti yt përhumb…

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult