Nga: Agim Morina
Një letër e Mitrush Kutelit tregon për një bisedë të tij me Dhimitër Shuteriqin, i cili ka gjetë një vepër të shkrueme dhe pohon se fakti që e ka gjetë atë dorëshkrim, mundet me e botu në emën të tij. Kuteli e qun këtë veprim “vjedhje”. Sidoqoftë, vepra e vjedhun duket se asht një dorëshkrim i Lef Nosit, (i cili qe pushkatu prej komunistëve), ndërsa Shuteriqi e ka botu ma vonë me emnin e vet si autor.
Me qenë i pushkatuem e me ta përvetësu veprën asht fundi i poshtërsisë. Por, edhe tue qenë gjallë, ka horra e sharlatanë që përvetësojnë dorëshkrime, projekte e mësime dhe dalin e thonë se janë “propozime” të tyne. S’din njeriu a asht ma keq kur ta përvetësojnë veprën kur je i pushkatuem apo edhe sa je gjallë. Por një gja dihet: aj që përvetëson mbetet horr e faqezi.
* * *
“Një ditë në Belgrad (Berat), Shutja (Dhimitër Shuteriqi) më pat pyetur:
– Mitrush, ç’do bënje ti po të kishe gjetur një vepër të pabotuar të një shkrimtari të vdekur?
– Ia ktheva: – Do t’i bëja një parathënie dhe do ta botonja.
– Ay: – Me emrin e kujt?
– Të atij që e ka shkruar. Unë do të kënaqesha t’i jap lexonjësit një vepër që mund të zhdukej.
– Jo, – më tha, – vepra e gjetur është imja, se unë e gjeta. Pra, unë, gjetësi, jam “autori” i saj.
– Ti s’je autor, se nuk e brumose në mendje e shpirt, nuk vuajte në të lindurat, nuk… nuk.
Ay më shikoi tinzar dhe e ktheu fjalën:
– Po kur e boton një këngë popullore?
– Kur e botoj një këngë popullore, them se ku e kam mbledhur, kush ma ka treguar. Roli im është ta mbledh, ta botoj, t’i tregoj burimin.
Ay përsëri:
– Po ay që ta dha këtë këngë, s’është autori i saj, pra….
– Unë s’them që filani e ka qitur këtë këngë, them se ay ma ka treguar. Po të mund, shtoj ku e ka dëgjuar, kush e këndonte etj.
Shutja e ktheu prapë, kategorikisht:
– Jo, s’jam dakord. Vepra që kam gjetur është imja. Po të mos isha unë, kushedi, do të humbiste. Pra, unë e gjeta dhe do ta botoj me emrin tim.
I thashë:
– Kësaj i thonë vjedhje….
– Ay u ngrys. Kështu u mbyll muhabeti ynë në rrugët e Belgradit, në Dhjetor 1945.
Atëherë Shutja ish mjaft modest, por brenda tij gurgullonte kazani i madh i shejtanit. Lëvdonte shkrimet e mija, ngrinte në qiell Lame Kodrën. Pastaj nisi të ngrihet, gjersa u bë burrë me llullë, me bére e me automobil, më shau e përshau, pështyu, lëpiu, hoqi “i”-në në fund të emrit që të vërtetonte tezën e tij, siç i tha vetë Popoviçit në tryezë: “Emri ynë vjen nga fjala serbe “shute”, që do të thotë “shaka”.
Rrjedhim nga një familje e “Stara Serbisë” të “Despotatit të Elbasanit”. Pra, si të thuash, “unë” jam “ti”, ndihmomë të ngrihem lart, jepmë, të kam vëlla. Po si u bë puna e asaj veprës së “gjetur”? Para ca kohësh botoi “Gjorg Golemin” që bje erë Lef Nosi.
Me të vërtetë Shutja-shejtani, karasyfeti më karavidhe që ka nxjerrë qyteti – kërthizë, kameleoni arrogant, më vjedhës, më vjedhacak, më vjedhacuk, hajdut me damkë i botës shpirtërore (medet, edhe i botës lëndore), fjalacuku më i ndyrë midis gjithë fjalacukëve dështakë (epitetet që gurgullojnë nga realiteti nuk kanë të sosur) – përlau dikur tërë dorëshkrimet e Lef Nosit, të Sotir Kolesë etj., të mbledhur çikë-çikë një jetë të tërë dje, tani, ose nesër i paraqet ose do t’i paraqesë si të tijat, duke mos harruar të verë midis emrit të tij dhe të familjes (Shute të Stare Serbisë, siç thënkan serbët e Elbasanit dhe Pogradecit tim, duke tjerur ëndrrën serbomadhe të një perandorie të re, qoftë edhe republikane, të Serbisë midis tre deteve), shkronjën e madhe “S” të babajt që vodhi veprën “Varri i dashnorëve” të Naum Voillës, duke e paraqitur si të vetën….
E pra, këtu në Pogradec ka qenë dikur një djalosh që i thoshin Pirro Vako, një nga të rinjtë e parë komunistë, ëndërrimtarë të një bote të drejtë, pa shfrytëzim, pra, pa vdekje. Pirro Vakua kish patur një dell të mirë shkrimtari.
Dikur më pat thënë: “Ti ke rënë, po unë të nderoj e të dua, se më ke treguar udhën si të shkruaj”. Dhe zbrazi një gotë raki. Ay dështoi në jetë (një punë dashurie me një vajzë që quhet Izmini, flokëverdhë, të cilën ju – ti dhe Rushi – e shihni dendur nëpër Tiranë), iu dha alkoolit, vuajti e vdiq. Shutja i vajti babajt të këtij, i premtoi dhenë e qiellin, mori një dhomë me qira në shtëpi të tij dhe i përlau- në mënyrë shutërore – tërë dorëshkrimet (ditare lufte, shënime, tregime etj.).
I ati pret akoma që Shutja t’i botojë këto të gjithanë emrin e djalit. Shutja ndofta i boton, po me pikëpamjet e dyzetepesës, për të cilat fola më lart: me emrin e vet, për xhepin e vet…..
Para ca vitesh i vodhi një prifti këtu (prifti vdiq vjet) regjistrin e shënimeve të një manastiri. Prifti më thosh: “Ia rrëfeva, e pa, më lëvdoi, pastaj ma dha prapë, ma mori përsëri, ma dha dhe njëherë dhe unë e vura nëvend. Kur iku, s’e gjeta më….”. Prifti bënte kryq, sikur donte të largonte shejtanin: “Ma vodhi, bre, s’pandenja, paska qenë….”
Kockat e Papandonit (kështu i thoshin priftit) po treten tani në gështenjat, kurse Shutja shutëron “tani përsëri me “i”-në në fund të emrit”, më shikon vëngër, siç e vështron kalorësi këmbësorin e çalë apo më mirë automobilisti arrogant udhëtarin e mjerë. Dhe përsëri më kujtohen vargjet e Khajamit: Rrëmyen mall, memuriet e ar, Dhe t’irtin plak, të urtin shkëncëtar E quajnë gjaur, se s’beson prralla, Se s’qas mbi supe, si ata, samar.
Më falni se u zgjata kaq shumë me këtë “Dhimitriadë Shuteriqore”, po këto të gjitha m’i zgjoi karasyfeti i tij arrogant që endej rrugëve të Pogradecit. Kam dhe diçka tjetër.
Lef Nosi ka pasur një koleksion të pasur me pulla poste të vjetëra, të mbledhura me kujdes një jetë të tërë (në qeverinë e Vlorës, të Ismail Qemalit, kishte qenë ministër i Postave). Shutja mori dorëshkrimet e tij dhe një pjesë të bibliotekës (librat ia kam parë me sytë e mij në hotel “Dajti”, ku banoi një kohë, më 1945 dhe 1946).
Po ç’u bënë albumet e pullave që vlejnë, pa ekzagjerim, miliona lekë? Është fjala për pulla të rralla të Turqisë me syrsharzhimin e Hyrjetit dhe sidomos atë të qeverisë së parë të Vlorës, është fjala për pullat e qeverisë së parë të Vlorës, është fjala për pullat e qeverisë së Durrësit, për ato të mbretit Vid e sa e sa të tjera.
Kush i mori, kush? Këto duhej t’i merrte shteti dhe, me sa di unë, Shutja, ndonëse mban berè shkrimtari (që ta tregojë bota me gisht) s’është shtet. Kisha dhe mjaft të tjera për këtë individ cipëplasur, por nuk po vazhdoj: më vjen ndot. Falmëni!”
*Titulli i origjinalit: “Hajni dhe horri”
ObserverKult
Lexo edhe:
MITRUSH KUTELI: ATDHEU ËSHTË ATDHE, BILE EDHE ATËHERË KUR TË VRET