Muçi Zade: Imzot mos na lerë pa kahve

Për sa rrëfejnë myxhizatë,
për shenjtërit që janë vatë,
mos më le bë iftar thatë,
Imzot, mos më lerë pa kahve!

Për hyrmet të Fatimesë,
për të mirët e Mejremesë,
mos më lerë me lëng t’armesë,
Imzot, mos më lerë pa kahve!
……………………….
Imzot, mos më le dë kujdes,
bë iftar me mjaltë pa pekmes,
O imzot, pej teje shpresë … !
Imzot, mos më lerë pa kave!

Dë këtë muaj mubareq,
falna gjynahet se jemi pleq,
për gjithë sa janë meleq,
Imzot, mos më lerë pa kave!

Për ismitë që je Gafur,
për Muhamednë q’është meshhur,
mos më lerë po me bullgur … !
Imzot, mos më lerë pa kave.

Lutiu Zotit Muçi Zade,
se heq bari shumë derde,
se s’ka as pilaf as zerde,
Imzot, mos më lerë pa kave!

Fjalorth:

Myxhizatë: Mrekullitë.
Mubareq: I uruar; i bekuar.
Meleq: Engjëll.
Ism: Emër.
Gafur: Përdëllyes.
Gjynahe: Mëkate
Meshhur: I famshëm.  


____________________

Kjo poezi cilësohet si njëra ndër poezitë më të bukura të bejtexhinjve, në letërsinë shqipe dhe është e shkruar me alfabet arab nga Muçi Zade.
Për jetën e Muçi Zades nuk dihet asgjë ndërsa e vetmja poemë e mbetur prej tij është “Imzot, mos më lerë pa kahve” (shqipe e sotme: Imzot, mos më lër pa kafe) . Poema është marrë nga një dorëshkrim i zbuluar në Korçë dhe i cili daton në vitin 1724 ose 1725.
Vargu i nëntë i poemës përmban datën 1137H, në shqip dhe turqisht. Në këtë poemë 17 strofash, të shkruar me vargje tetërrokëshe me një rimë AAAB, autori vajton mos pasjen e kafesë për të prishur agjërimin në çastin e perëndimit të diellit gjatë muajit të shenjtë të myslimanëve, Ramazanit.
Poema është teksti më i vjetër shqip i shkruar me alfabetin arab që ka arritur të mbijetojë. Gjithashtu është dhe vargu më i vjetër i shkruar në dialektin toskë në Shqipëri. Studimi më i hershëm i poemës është bërë nga Osman Myderrizi në vitin 1955, i publikuar në Buletinin e Shkencave Shoqërore me titullin “Letërsia Shqipe në Alfabetin Arab”.

ObserverKult