Musa Ramadani: Secili e kërkon borxhin e vet!

musa ramadani:
©Fahredin Spahija: Musa Ramadani

Nga: Musa Ramadani

… nuk e njoh. Dhe nuk më njeh. Mbase ai mund të më njohë. As emrin nuk ia di. As ai- jam i bindur- nuk ma di. Megjithëse ai mund të ma dijë. Po kjo nuk do të thotë se nuk mund ta njoh. Ndoshta posa ta shoh: të ecurit, sjellja, lëvizjet a ndonjë veti tjetër. Jam i sigurt për këtë, sikundër jam i sigurt se frymoj, se nuk jam në ëndërr, se jam i vetëdijshëm për jetën time, se nuk jam krijesë e trilluar përrallash a rrëfimesh popullore… A  d o  t a  t a k o j?…

Duhet ta shoh. Të gjitha gjasat janë. Dhe mezi pres: as punën punë s’e bëj, as gjumin gjumë, as jetën jetë. Vetëm atë çast, orë e ditë e gjakoj. Për këtë shkak ardha këtu, në këtë qytet, në vendlindjen e të të parëve dhe timen. Me padurim e pres orën e fatit. Për të satën herë e bind vetem: njeriu që pret diçka, që përfytyron, shpreson, gjakon, edhe ndonjë të keqe qoftë, ka arsye të jetojë – është i vetëdijshëm për ndërrimin e ditëve dhe të netve, sogjon vërtitjen e stinëve, ndjen përsëritjen e kohës në hapësirë.

Nganjëherë më bëhet se për këtë nyjë pata nisur të vras mendjen qëkur hodha hapat e parë, plot pasiguri e të kalamendur fëmije, po e keqja qëndronte aty se vetëdija ime ishte larg ngjizjes. Kujtoj se edhe fjalët e mia fillimtare s’kanë qenë veçse fruta mllefi, ca të rënda e të ashpra. Nuk e di mirëfilli, ajo është për mua një mjegullinë e paformësuar: prindërit, ndjesë paçin, më lanë kërthi, e të afërmit e tjerë nuk çanë fort kokën të merreshin me kolovitjet e belbëzimet e mia. Vallë, do të kenë qenë instinkte dhe asgjë tjetër?

Që në fëmijëri përfundova se dikush më ka diçka borxh. Një borxh të madh, të vjetër, borxh që nuk shpaguhet lehtë dhe nuk e shkel dot koha.
Dhe mbase jo vetëm mua, mirëpo secili e kërkon borxhin e vet dhe në emër të vet. Në rini kjo ide ishte ngritur në një skelet dhe sa vinte, dalngadalë po zinte vend një një kornizë tek ngulitej në të, pa mundur të lëvizte ose të ikte. Më vonë ose tash, në moshë e trup të pjekur, më ishte pjekur edhe mendimi, duke arritur pikën e sendërtimit gjithëqysh. Doemos. Pa-tje-tër! Nuk ia behu nga pendesa në dhe të huaj.

Unë nuk pendohem kurrë. Mësa mund të pendohem  për këtë që mejtoj e që e rrëfej. Fundja s’kam edhe përse: pëndesa s’ka të bëjë me mua, ashtu siç nuk merrem unë me të. Unë nuk kam ikur nga vendlinja, më çuan, më kanë marrë me vete. Kam ardhur sërish këtu që të çoj në vend amanetin e vështirë po të shenjtë për mua. Askush me gojë nuk ma ka lënë: as gjyshi as babai. Asgjëkundi s’e kam parë të shkruar. Mbase në formë pëshpërime, thirravaji e namtisjeje.

Por jam i sigurt se ky amanet i pakryer i ka zvogëluar që të gjithë, dita më ditë, për t’i shndërruar në xhuxhimaxhuxhë përrallash. Prandaj është i nevojshëm takimi. S’kam care pa e njohur. Ballafaqimi është i pashmangshëm. Më e rëndësishme për mua ishte të mos e lë pasdore, të mos ia kthej shpinën, të mos e braktis fare këtë amanet të madh, anipse të pathënë e të pashkruar.
Largësia e koha të mos e bëjnë të veten. Apo diçka edhe më e fuqishme se këto të dyja, po qe se fare ekziston.

Kryesorja- të mos e mbulojë baroja e myshku pluhuri e balta apo koha e harresës që sheshon apo koha e harresës që sheshon çdogjë mbi tokë sa, kur të bëhet vonë, të mos i bien në fije as  arkeologët. Harresës i kam drojtur më së shumti gjatë jetesës sime. Kjo ndjenjë më është fuqizuar nga mungesa e kujtimeve aso të hidhura, të rënda, të mllefta, të egra e të neveritshme, të cilat vetëm ndonjë pjellë e keqe, njeri bastardh, mund t’i shlyejë aq lehtë posi zënkat e zakonshme me gruan, për shembull.

E kam stërvitur vetveten me sprova të ndryshme. Ta mbaj gjallë mendimin. Të mos hutohem me gjërat e përditshme. Të mos më topisin ahengjet, gostitë, ndejat, epshet e dashuriçkat. Me ditë, muaj e vjet të tëra e kam kultivuar ndjenjën  e nostalgjisë, pikëllimit e të vuajtjes bashkë me atë të pezmit, mllefit e të hakmarrjes.

Tekembramja, nuk jam i atij gjaku që mund të harrojë. Gjaku ynë ngjet shpesh edhe të falë, varësisht për çfarë është fjala e puna, po të jetë harraq – jo kurrën e kurrës. Përderisa të mos e rëndojë dheu e të mos e qetësojë varri. Pih, sa gjakoj që ta takoj! Vetëm një herë. Natë e dita fshaj e shestoj. Është e vetmja pikë e zezë që dua të shlyej në qiell, e vetmja nyjë që më duhet ta zgjidh, i vetmi mister që lipset ta nxjerr në diell, e vetmja barrë që më mbetet ta zhgarkoj. Tash e në të pritmen, njëherë e përgjithmonë. I mishëruar me të gjatë stinëve njëngjyrëshe të jetesës sime, ndonjëherë  kujtoj se ai edhe nuk ekziston fare, veçse më fanitet, më përshkon me një shpatë të fshehtë, më është  bërë një mënyrë apo mundësi gjallërimi. As në ëndërr s’e kam ndeshur kurrë.

E ëndrrat, të parëndomta, të çuditshme, të pabesueshme varg e vijë më janë shfaqur çerekut të fundit të jetës. Ka të ngjarë ta kem ëndërruar syçelur, në pikë të ditës. Atëherë kur njeriu (i zalisur si unë nga akti i dorasit të babait tim ditë për ditë e natë për natë) mbase humb ndjenjën për ëndërr e zhgjëndrrën, ose i ngatërron ndër vete, pa mundur të pikasë se ku fillon njëra e ku mbaron tjetra. Në këtë kohë, në këtë jetë e në këtë botë gjithçka është e mundshme.

Eh, sikur të më shfaqej në trajtë burrërore e të më dalë përpara një ditë e të më thotë: … jam kur jam… e di se më kërkon… tërë jetën e ke shpenzuar për mua e pas meje… qit si burrat… vramë si trimat… bën ç’të duash… yti jam… s’kam ku shkoj më… e kam ditur se do të takohemi një ditë… anipse nuk jemi njohur kurrë… jepi fund kësaj pune… vëri pikë kësaj historie… mbylle atë libër lutjesh që e ke paluar në vetvete… për mua… herët a vonë çdo gjë shpaguhet… për t’i qëruar hesapet, koha është e përjetshme… nuk mund të shkoj… prej kësaj bote… pa i larë… mëkatet… po qe se mund të shlyhen që të gjitha…

Eh, sikur të më shfaqej para syve një ditë e të më thoshte përafërsisht kështu. Hë, gjepura! Diçka që nuk ngjet e nuk mund të ndodhë kurrë. Ai nuk është i atij gjaku që mund të të dalë përballë, pa lëre të ta hapë gjoksin e të mos i trembet syri. Ai e çiftat e tij s’mund të krahasohen veçse me këmbët e gjarprit që nuk mund të shihen dot. Sa di unë: trimat falen dhe falin. E ai as me sy s’e ka parë trimin, prandaj edhe nuk mund të falet. Ai nuk do të shpëtojë veten dhe mua.

Do të më mundojë, të më shkatërrojë, të më zhdukë. Të më bëjë që të flas me vetveten. Mbase e di dhe më sheh tek përpëlitem kështu, duke kujtuar se çdo gjë imja tashmë është e kotë. Largësia, koha e dheu i huaj do të kenë zhveshur, shuar e zventuar që të gjitha: çdo ndjenjë, mendim e tipar që më veçon nga të tjerët. Jo! Gjaku im është i gjallë, ende nuk është shprishur, qarkullon papra në mua, nuk fiket mësa vullkani, është i valë e nuk e ftoh as era, as nata e as koha. Po të mos më ushqente ky gjak i gjallë, ndoshta nuk do të më kishit dëgjuar më emrin, nuk do të ma kishit parë nishanin, nuk do të ma kishit gjetur as varrin…

O, mos në thënçin Abas Guri po s’e çova amanetin në vend!

*Shkëputur nga romani “Ligatina”, botim i Rilindjes (1983).

Përgatiti: ObserverKult

Musa Ramadani

Lexo edhe:

MUSA RAMADANI: ERITONË, DERI KUR DO TË MË GËNJESH?