Musa Ramadani: Nuk pajtohej vetëm me vdekjen

musa ramadani:
©Fahredin Spahija: Musa Ramadani

Poezi nga Musa Ramadani

Ndoshta ende vërtitet nëpër botë
Hija në të cilën e njohin Gilgameshin

E donte aq fort mikun e tij, Enkidunë
Saqë s’mund t’ia falte dot as mordjes

Tek zuri ta hante pa mëshirë vetmia
Shpresa e shpuri të marrë botën në sy
Dhembja ia mbyllte shtigjet një nga një

Çdo gjë ishte aq vonë për heroin
Me trup dy të tretat perëndi
E vetëm një e treta njeri

Bari i pavdekshmërisë asgjëkundi

Po të mos e takonte nimfën Sabita
Në botën e të vdekurve diku në udhëkryq
Nuk do të pajtohej me vdekjen e Enkidusë

Ndoshta ende vërtitet nëpër botë
Hija në të cilën e njohin Gilgameshin

Krejt çfarë kishte nxënë ai në jetë
Ishte aq e vogël, aq e paktë, aq e thjeshtë-

Nuk kishte fuqi të pajtohej me vdekjen.

ObserverKult

————————–

LEXO EDHE:

MUSA RAMADANI: NUK E NJOH E NUK MË NJEH…AS EMRIN NUK IA DI!

Sot kemi zgjedhur t’ua prezentojmë me një fragment nga romani “Ligatina”, shkrimtarin Musa Ramadani.

“Ligatina” është ndër veprat më identifikuese të Ramadanit. Akademik Sabri Hamit, tek i referohet këtij libri , shkruan: “Romani Ligatina i Musa Ramadanit u përket librave që lexohen me shkrim, me laps në dorë dhe durueshëm, për të mos thënë edhe duke kërkuar mundimshëm. Leximi i tij me shkrim nënkupton një lexim si rindërtim të kuptimit të plotë të tij”.

Ndërsa, shkimtari dhe studiuesi Adil Olluri, Musa Ramadanin e vlerësuar si një ikonë e elitarizmit letrar.

“Musa Ramadani ishte një nga ikonat më elitare të gjeneratës së artë të shkrimtarëve shqiptarë të Kosovë, të cilët i dhanë vlerë të shtuar estetike letërsisë shqipe në gjysmën e dytë të shekullit XX. Shkrimtarëve shqiptarë do t’ju mungojë prania fizike e mjeshtrit të prozës e poezisë, Musa Ramadani, ngaqë ai do të jetë mes nesh me veprat e tij të vlershme letrare. Prishtina letrare do të jetë më e varfër pa Musa Ramadanin.”/ Adil Olluri

Tekstin e plotë e gjeni KËTU