(Kushtuar këngëtares lirike Tefta Tashko Koço)
Mjaftonte një piano që vinte si dallandyshe përtej qiejve
Të na jepje magjinë Teftë moj, filiz kënge i pashteruar
Të na hapje pa trokitje, strehëza diellore dritëfarfurie
Të na hidhje çarçafë me tinguj të gjerdanuar.
Na çurgërove sylynjarët e shpirtit tonë si deti
Na blerove livadhet, manat e gjithë lulet i petalove.
Udhët kishin baltë e gurët i kishte thinjur kurbeti
Puploheshin ditët, dhe pse buka mungonte mes sofre.
Teftë moj, gjeth që s’e vyshk asnjë vjeshta e viteve
l bëre pelikanët që mes sqepave të këmbejnë puthjen.
Në flokët e nuseve mollët skuqeshin mes tingujve
Me një stap hyjnor këmbanat në djepe përkunden.
Në pllakëza pariziene këndonin rrugicat me kangjele
Vjeshtrave për ty zogu rrugën e kthimit harronte
Oo, ti na solle një shportë me tinguj dritëargjenda.
Me ison që ta mbanin bletët që bletonin në hoje.
Dhe kuajt trokëllinin pas pajtonëve me zile
Nga sëndykët dilnin tingujt që dehnin dhe plisin.
Teftë moj, ç’i bëre të dridhen kangjelat në vite.
Dhe në zemra na vure fjongo të pëjretshme përurimi.