Namir Lapardhaja: “Don Kishoti”, (ri)lexim i një letërsie të madhe

namir lapardhaja
Namir Lapardhaja

Nga Namir Lapardhaja

“Don Kishoti” i Servantesit është padyshim një ndër kryeveprat e letërsisë botërore. Thjeshtësia e ndërtimit të personazheve, ngjarjeve dhe aventurave, e bëjnë këtë roman të lexohet me ëndje, ndërsa rileximi është një minierë e vërtetë kënaqësish të pafunde, ku gërshetohen një shumësi ndjesish dhe mbresash, që nuk i ke përjetuar përgjatë leximit të parë.

Milan Kundera, më së pari tek “Arti i romanit” e më pas tek “Testamentet e tradhëtuara”, kur flet për fillesat e romanit modern evropian i referohet Servantesit, pikërisht me “Don Kishotin” e tij, ndërsa Octavio Paz thotë se “humori është shpikja më e madhe e modernitetit”.

Ato që e bëjnë Servantesin modern dhe romanit e tij veprën më të rëndësishme të fillesave të modernitetit evropian, veç humorit, që përshkon papushim të gjithë faqet e librit, janë “improvizimi dhe kompozimi”. Improvizimi ka të bëjë me thjeshtësinë e përshkrimit dhe të ndryshimit të karaktereve gjatë rrugëtimit të tyre libror.

don kishoti



Për shembull, dyshja Don Kishot-Sanço Panço, emrat e të cilëve marrin vlerë vetëm në praninë e njëri-tjetrit, përgjatë aventurave kalorsiake dhe çmendurake, ndryshojnë.

Kështu, nëse në fillim të romanit është Don Kishoti ai që artikulon marrëzira, shprehje, fjalë dhe fraza të zgjuara, por të pakuptimta për kohën dhe realitetin, pasojë e leximeve të tij të romaneve kalorsiake, dhe Sanço Pança shfaqet si një gdhë, i palëçitur dhe kokëbosh, në faqet e fundit rolet ndërrojnë dhe urtia e mençuria kalon nga i zoti tek shqyrtari.

Ndërsa kompozimi, që përqëndrohet në një kohë dhe hapërsirë të caktuara, në një udhë ku mpleksen historitë e shumë personazheve, shfaqet në një plan veprimesh e skenash të llogaritura me imtësi në vepër.

Loja autoriale që bën Servantesi që në fillimet e veprës, duke e paraqitur atë si një histori të lexuar diku në fletoren e një historiani arab, pauzat dhe shkëputjet e herëpashershme, për t’i tërhequr vëmendjen lexuesit dhe thirrja e tij për ta ndjekur atë në vazhdimësinë e rrëfimit, historitë e ndërfutura në tekst, galeria e personazheve të këtyre historive, të cilët pikëtakohen rastësisht në faqet e romanit, fati i tyre që mplekset me fatin dhe bëmat e heroit kryesor të veprës, e bëjnë “Don Kishotin” të tjetërfartë dhe një model strukturor dhe rrëfimtar për letërsinë e mëvonshme.

Teksa lexon faqet e romanit “Don Kishoti i Mançës”, e ke të qartë se nuk je duke lexuar thjesht aventurat e një kalorësi të fantaksur, marrosur nga leximi i shumtë i librave kalorsiak, sipas modelit të të cilëve sendërton jetën e tij, duke besuar gjithçka lexon dhe duke marrë rrugët e botës për të vënë drejtësinë e munguar në vend, por në thellësi dhe brendi të rreshtave e kupton se Servantesi me artin dhe lojën e tij ka qenë i vetëdijshëm për krijimin e një letërsie të madhe, shembull dhe model për të ardhmen.

ObserverKult

Lexo edhe:

ÇFARË MUND T’I LEHTËSOJË NJERIUT BARRËN E PËRDITSHMËRISË?