Natasha Lako: Më ka dashur vërtet ai…

Rruga më binte andej nga e panjohura dhe e largëta,
u jepja kuptim syve të një zogu të vogël, si shkronjave
të para prej frikës dhe së bukurës,
kuptim u jepja puplave të lejlekëve edhe në fluturim,
ku butësia bëhej e egër,
kuptim i gjeja sqepit të një dallëndysheje të uritur
e doja si e kisha parë.

E bukura dhe e soditura uleshin me mua
në bankën e shkollës,
në gojë dhe buzë të shumëfishuara të jetoja,
e lidhur me dy pika syri zogjsh,
si nota të pakënduara ende,
u jepja kuptim të puthurave të vogla, të mëdha,
që më bënë një,
kaq e turbullt mbeti jeta që më donte.
Më ka dashur vërtet ai që të vogël nuk më pa,
i mahnitur kur ka qenë nga syri i ndritshëm i milingonave.

ObserverKult


Lexo edhe:

LIZA LASKA, ARTISTJA QË GDHENDI NË TEATËR DHE KINEMATOGRAFI, FIGURËN E NËNËS LABE