Ndahet nga jeta Jetullah Gashi, heroi dhe simbol i qëndresës antikomuniste që sfidoi diktaturën e Enver Hoxhës

jetullah

Më datën 15 nëntor 2022, pas një sëmundje të rëndë, u nda nga jeta në moshën 78-vjeçare në qytetin e Prishtinës, mjeku Jetullah Halil Gashi, ish-i burgosur politik nga regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe pasuesit të tij, Ramiz Alia, i cili vuajti 14 vite në burgjet dhe kampet e Shqipërisë komuniste, nga 1977-ta, deri në 1991-in.

Nga Besim Ndregjoni

Jetullah Gashi lindi më 6 shkurt të vitit 1944 në katundin Mramor të Prishtinës, prej nga është dhe origjina e familjes së tij. Në vitin 1964, kur ishte gjimnazist, ai vendosi që të arratisej nga Jugosllavia dhe më 30 gusht të po atij viti, ai kaloi kufirin shtetëror në zonën e fshatit Zogaj të rrethit të Tropojës dhe erdhi në Shqipëri, duke u dorëzuar te posta më e afërt kufitare e asaj zone.

Pasi e mbajtën disa ditë duke e marrë në pyetje në Degën e Punëve të Brendshme të qytetit “Bajram Curri”, Jetullahun e sollën në qytezën e Shijakut, duke e sistemuar në një bazë të Sigurimit të Shtetit, e cila quhej “Qendra e Filtrimit e Emigrantëve Kosovarë”, që arratiseshin nga Jugosllavia dhe vinin në Shqipëri. Aty mbajtën për disa muaj, ku ai i’u nënshtrua një hetuesisë intensive nga ana e oficerëve të lartë të Sigurimit të Shtetit, që vinin nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe që mbulonin “emigracionin kosovar”.

Më pas, Jetullahun e dërguan në rrethin e Korçës, ku mbaroi shkollën e mesme në qytezën e Maliqit dhe më pas e sollën në Tiranë, ku ai ndoqi studimet e larta universitare në Fakultetin e Mjekësisë, të cilat ai i përfundoi në vitin 1971, me rezultate të larta dhe u emërua në rrethin e Elbasanit, si mjek pranë spitalit të atij qyteti. Edhe pse ai punonte me shumë pasion dhe përkushtim e humanizëm të rrallë e, gjithashtu gëzonte simpatinë e kolegëve dhe qytetarëve elbasanas, pas disa kohësh survejimi dhe ndjekje nga ana e organeve të Sigurimit të Shtetit, në prillin e vitit 1977, Jetullahu u arrestua prej tyre në mënyrë demonstrative, duke i vënë prangat gjatë një mbledhje të kolektivit, të inskenuar prej tyre në spitalin e Elbasanit.

Pas disa muajsh tortura çnjerëzore në hetuesinë e Elbasanit, duke u akuzuar: “për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor dhe si agjent i UDB-së”, më 14 qershor të vitit 1978, ai doli në gjyq ku, edhe pse nuk pranoi asnjë nga akuzat dhe mbajti qëndrim dinjitoz, u dënua me 25 vite burg politik, të cilat i vuajti në kampet e Spaçit, Qafë-Barit, dhe Burrelit, etj., ku ai vuajti dënimin deri në vitin 1991.

Shumë nga shokët, miqtë dhe bashkëvuajtësit që patën rastin ta njohin nga afër mjekun Jetullah Gashi në kampe dhe burgje ku ai vuajti dënimin nga viti 1977 deri në 1991-in, e kujtojnë atë me mjaft respekt si një njeri tepër human dhe me karakter të fortë, i cili u gjendej atyre në çdo kohë, duke ua lehtësuar sadopak dhimbjet e vuajtjet.

Bashkëvuajtësit e miqtë e tij të ngushtë në kampin e Spaçit, si; Qani Sadiku, Petrit Bazelli, Kaso Hoxha, Agim Akcani, Nuri Stepa, etj., veç të tjerash, e kujtojnë gjestin dinjitoz e të jashtëzakonshëm të Jetullah Gashit, kur ai vuante dënimin në atë kamp, kur në mënyrë demonstrative, ai u’a dorëzoi bluzën e bardhë të mjekut autoriteteve të komandës së kampit dhe hyri të punonte si punëtor me tre turne në galeritë e Spaçit, në shenjë proteste, duke mos i’u bindur, urdhrave të tyre, për të mos u dhënë raport mjekësor pushimi, bashkëvuajtëseve të tij që, kishin probleme shëndetësore dhe ishin të paaftë për punë.

Mjeku human Jetullah Gashi, u lirua nga burgu vetëm me shembjen e regjimit komunist, në marsin e vitit 1991, (u fal me dekret nr. 7460, datë 31.1.1991, të Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, në bazë të Kodit të Procedurës Penale), .me të fundit të burgosur politik që u liruan nga kampet dhe burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasuesit të tij, Ramiz Alisë.

Pas viteve ’90-të, mjeku Jetullah Gashi emigroi për disa vite në Zvicër dhe më pas u kthye në vendlindjen e tij në Kosovë, ku jetoi me babanë e tij, Halil Gashi, në lagjen “Ulpina” në Prishtinë. Në atë kohë ai krijoi familje duke u martuar dhe lidhur kurorë me zonjën Shukrie Demolli Gashi, (me profesion mamie në spitalin e Prishtinës), me të cilën kanë dy djemtë, Kreshnikun, i cili lindi më 14 qershor 1994 dhe Driloni, më 29 janar 1977, dhe bashkë me ta, e vajzën Krenaren, jetoi deri në çastet e fundit të jetës, ku më 16 nëntor 2022, u përcoll me nderime të mëdha për në banesën e fundit në Prishtinë.

Në vitin 1988, si rezultat i gjenocidit serb të Sllobodan Millosheviçit, ashtu si qindra e mijra familje të tjera kosovare, edhe Jetullah Gashi me familjen e tij u shpërngul nga Prishtina e Kosova dhe erdhi në Shqipëri, duke u vendosur për disa muaj në rrethin e Korçës dhe Elbasanit, (ku u prit si njeri i shtëpisë nga disa ish-bashkëvuajtës të tij, si Petrit Bazelli, etj.), ku ai kishte studiuar dhe punuar deri në vitin 1977, kur u arrestua nga regjimi komunist.

Në emër të Unionit Mbarëkombëtar të Integrimit të ish-të Burgosurve dhe Përndjekurve Politik të Shqipërisë, i shprehim ngushëllimet tona më të përzemërta familjes Gashi në qytetin e Prishtinës, për humbjen e njeriut të tyre të dashur, i cili do të kujtohet me respekt nga të gjithë bashkëvuajtësit e tij, si një mjek human dhe simbol i rezistencës antikomuniste, i cili vuajti plot 14 vite ne kampet e burgjet e regjimit komunist diktatorial të Enver Hoxhës dhe pasuesit të tij, Ramiz Alia. /Memorie.al

ObserverKult