Ndahet nga jeta këngëtari, Baki Bakiu- zani i veçantë i këngës popullore shqiptare

Nga Arlind Farizi

“Ikja e shtergut”
Kështu do e quante Lasgushin Kadareja!
I madhi i letrave për të madhin e letërsisë e lirikës! Vetëm një titull kryevepreje letrare do t’i shkonte përshtat ikjes së doajenit të këngës popullore, mësuesit tonë shembullor, njeriut më fisnik që njoha, Baki Bakiut.

Janë vdekjet ato që na përkujtojnë humbjet dhe boshin që lënë pas këta njerëz të rrallë, që Zoti u dha zanin e talentin për të kënduar kudo e kurdo në oda tona tipike shqiptare!
Ia dha dhuntinë për të luajtur në instrument, çifteli e violinë, zanin e shehirit e të rapsodit!
Oda nuk qe vetëm vendi ku rrinin e këndonin po qe vend, kohë e hapësirë kulture.

Gabim e kanë ata që thonë se kulturat e mëdhaja vijnë nga qytetet. Kënga popullore ka adresë odën shqiptare, odën nerashtiane.
Baki Bakiu qe mohikani fundit i këngës popullore. Zani i tij do të jehojë përgjithmonë në kujtesën tonë. Fonoteka e tij aq e pasur përgjatë 40 vjet karriere është dëshmia dhe trashëgimia më e madhe që neve brezave më të ri na obligon ta kultivojmë, katalogjizojmë dhe studiojmë!
Ishte i veçantë mësuesi e rapsodi, Baki Bakiu!
Këndonte mirë, sa i bente inferior shumë këngëtarë të estrades popullore. Shaqir Cërvadiku, Mahmut Ferati, Milaim Mezini, hoxhë Ejup Selmani, e të tjerë, që përgjatë gjithë kohës ishin shoqëruesit e tij, e thonë me bindje se Bakiu qe zani i veçantë i këngës popullore shqiptare.

Sot, në ditëvdekjen e Baki Bakiut, kur ai tashmë ia ka falur shpirtin zotit, në zemrat e familjarëve e të miqve flejnë “këngët e pakënduara të Migjenit, mbi tavolinën e punës fletoreja e poezive të papërfunduara, shënimet me bukurshkrim edhe këta të papërfunduara, sepse të tillë e kanë fatin engjujt, ata përherë kanë diçka të papërfunduar…
Bakiu vdiq mu te shtëpia e vjetër e tij, te vendi i fëmijërisë, rinisë, jetës, sikur mori sinjale nga dikushi, vdiq si një Odise në Itakë!
Baki Bakiu, është emri të cilin duhet ta mbajmë mend, shkolla, kritika e muzikës, shqiptarët!
Më mirë se askush, me këngë çifteli iu përgjigj mbrojtjes së atdheut, me format me sublime të dashurisë, lau borxhin e tij me kengë siç bën të tjerët me armë!

Falënderit, mësues, këngëtar e rapsod i rrallë, që na mësove tipologjinë e njeriut të mirë, se të jesh mesatari është fat, e të jesh sipëran është përgjigje e Zotit, falënderit që na bëre ta duam traditën e zanin e çiftelisë, për grishjet për t’ju dëgjuar nëpër odat, ku kishte këngë e humor plotë finese dhe shumë dashni!
Falenderit Baki Bakiu, që nderove kombin, shkollën shqipe, fshatin.
I madh, i veçantë, i papërseritshëm.
Njeri!
Lamtumirë!

ObserverKult


Lexo edhe:

NDOC GJETJA: KA HESHTJE QË NA THONË GJËRA TË BUKURA…