Ndahet nga jeta sopranoja e njohur Jessye Norman

Jessye Norman, një nga sopranot më të njohura të shekullit XX, është ndarë nga jeta në moshën 74 vjeçare.

Norman vdiq në një spital të New York-ut, pasi vuante nga disa komplikime në funksionim të organeve dhe një dëmtimi në palcën kurrizore që kishte marrë vite më parë.

Norman njihej për zërin e veçantë dhe performancat edhe në ngjarje të rëndësishme. Ajo ka kënduar në inagurimet e presidentëve Ronald Regan dhe Bill Clinton, po ashtu në ditëlindjen e 60-të të Mbretëreshës Elizabetë në vitin 1986.

Norman u lind më 15 shtator të vitit 1945 në një familje artistësh amatorë, duke filluar këndimin në kishë qysh prej moshës katër vjeçare. Më vonë, ajo fitoi një bursë studimi në Univeristetin Howard në Washington, para se të shkonte në Peabody Conservatory dhe Universitetin e Michigan-t. Debutimin e saj në opera e bëri në Berlin në vitin 1969.

“Nuk më bie ndërmend ndonjë çast nga jeta ime në të cilin nuk kam provuar të këndojë”, citohet të ketë thënë Norman për NPR, gjatë një interviste në vitin 2014.

Me prejardhje nga Augusta, ajo u vendos në Evropë gjatë vitit 1970 dhe bëri debutimin në “Metropolitan Opera” në New York, në vitin 1983.

Për punën e saj, ajo është shpërblyer edhe me çmime të mëdha si “Kennedy Center Honor” në vitin 1997, “Grammy Lifetime Achievement Award” në  2006, një Medalje Kombëtare të Arteve në vitin 2009 dhemedalien e Legjionit të Nderit të Francës. / ObserverKult