Ndoc Gjetja: Mjaft u puthëm e dhamë përkëdhelje!

Ndoc Gjetja
Ndoc Gjetja - foto nga Kolec P. Traboini Athine, qershor ,1993

Poezi nga Ndoc Gjetja

Mjaft ndejtëm shtrirë këtu në bar!
Mjaft u puthëm e dhamë përkëdhelje!
Eja te hipim mbi atë re të bardhë
edhe të ikim nga kjo botë-lanete.

Do zbresim në planetin më të afërt
nuk prish punë pse je shtatzënë
atje do lindim dy binjakë
një djalë-yll e një vajzë-hënë.

Le të jetë planeti pa një frymor!
Të ketë veç ujëra, pyje, lëndina
Me puthjet tona do krijojmë
një popull të madh sa Kina.

ObserverKult

——————————-

Lexo edhe:

NDOC GJETJA: KUR FILLOVA NGA PAK TË VDISJA

Kur fillova nga pak të vdisja
mbaj mend, ka qenë e enjte
vetëm ty pranë të kisha
rrije në këmbë dhe heshtje. 

Në sytë e tu binte borë,
në fytyrë të fryu Veriu,
unë te brinjët vura dorën
ndjeva zemrën që mërdhiu.

Mbaj mend si e hape derën
si e tërhoqe pas dhe ike,
në palcë të ëndrrës ndjeva therrje
që më vonë m’u bë kronike.

Që ta marr pakëz veten,
vazhdimisht më sjellin njerëzit
reçel të ëmbël buzëqeshjesh
dhe ca pako me ngushëllime.

Përherë i lë në tryezë pa hapur
kompostot me lëng entusiazmi,
e nuk i prek me dorë fare
pjatat plot me optimizëm.

Ah, e humba krejt oreksin
nga ky virus shpirtëror i dhembjes,
me zor flas e me zor qeshi
më kot rri në tryezë të jetës.

ObserverKult