Poezi nga Ndoc Gjetja
Sot befas qielli i kujtesës m’u ça më dysh
dhe ndodhi para meje Zbulesa e Parë:
një univers i pasosur me rrëzëllime miqësish
të rroposura nga kataklizma e ndarjes.
Përmes mjegullës dhjetëvjeçare të harresës
tash s’e kam vështirë të shoh ca fytyra miqsh,
që më patën pritur në oborr të Pilatit
në natën e gozhdimit tim në kryq.
O ish-shokë! O ish-miq! O të dashur ish-ër!
Po ju thërras sa trembem nga zëri im i çjerrë.
A e dëgjuat gjelin e profecisë pas mesit të natës
kur këndoi për të tretën herë?
E pra, profecia u bë: më humbët, ju humba,
ju humba, atje, në fund të kodrës së Kalvarit.
Vallë, a ju kujtohet ajo darka jonë e fundit
kur ju pata larë këmbët me duart e mallit?
Pas dyzet viteve, ju do të vini vëllezër
të më përqafoni te Udha e Madhe e gjithë Mirësive,
por nuk do të më gjeni dot, mua, Shën Budallain
që ju pata dhënë dashuri të pakthyeshme.
ObserverKult
Lexo edhe:
JETA E VËSHTIRË E POETIT TË MADH: NDOC GJETJA I DËSHPËRUAR DHE I BRAKTISUR…KUJTIMET E MIKUT
Nga Kujtim Dashi
Kishte filluar periudha e vështirë e tranzicionit të pasegmentarizuar shqiptar, ose siç thoshim në mes nesh, e “shkrepjes së demokracisë”. Pas mbylljes së revistës “Skena dhe ekrani” në mars të vitit 1992, Ndoc Gjetja mbeti pa punë, kaloi në asistencë sociale, e cila ishte e mjaftueshme sa për të siguruar vetëm thelën e bukës thatë e për të mbajtur frymën gjallë.
Ndihej shumë i dëshpëruar, i braktisur si rrallëherë në jetën e tij. Kolegët e tij, ose “Zabelinët” shqiptarë, siç pata evokuar në një shkrim timin që u mirëprit nga opinioni, figurën e inxhinierit rus te drama e mirënjohur “Orët e Kremlinit”, duke mos bërë pazar me veten e tyre, shisnin trotuareve të kryeqytetit shqiptar banane, ndërsa “heronjtë e partive”, pa asnjë vepër, jo vetëm kaq, por që s’iu kishin thënë, bie fjala, njëherë plaç shefave të tyre, tragjikisht iu turrën tribunave dhe bënin ligjin ngado… Edhe djalin, Renin, e kishte pa punë, ndërsa gruaja merrte një rrogë qesharake. Kisha kohë pa e takuar dhe më kishte marrë malli.
Në një nga ato ditë më kishte kaluar fare pranë meje diku pas Bankës Kombëtare prej nga dilnin makinat e blinduara që shpinin para anekënd vendit, sa m’u bë se i ndjeva edhe frymëmarrjen disi të rënduar dhe ia lexova dëshpërimin. Ecte dhe numëronte ca qindarka dhe as që e kishte mendjen fare nga unë. Nuk i bëzana. E lashë të qetë të bënte atë hesap me qindarkat e mbetura, ndoshta vriste mendjen nëse mund ta kalonte ditën me to. E lashë të fliste me vete në atë cep të teatrit absurd shqiptar, i cili do të rëndohej edhe më shumë pas disa kohësh, në marskatrahurën shqiptare, kur u shembën firmat piramidale, të cilat zunë përfund me mijëra fate shqiptarësh… Kur ia kujtoja ndonjëherë këtë fakt Ndocit, më thoshte si për t’u shfajësuar “S’të kam vënë re, për besë.