Avni HALIMI vjen me shkrimin e titulluar “BARAZIA KULTURORE PËRTEJ ‘BALANCUESIT’”, në të cilin shtron pyetjen rreth temës bosht: Sikur shqiptarët t’i kishin institucionet e veta kulturore, a do të kishin nevojë për një “balancues” që do ta lehtësonte punësimin e tyre nëpër institucione kulturore të cilat aspak nuk kanë të bëjnë me kulturën shqiptare.
Në vazhdën e letrave nga Diaspora, Neviana SHEHI shkruan rreth librit, si një mjet tepër i nevojshëm për fëmijët tanë në këto kohë kur gjithë vëmendja shkon te celularët, të cilët herë – herë po bëhen edhe të kobshëm.
Intervista e radhës është me aktorin dhe regjisorin tonë të shquar, Edmond BUDINA.
Nga arkivi ju sjellim shkrimin me titull: STRATEGJIA E MANIPULIM TË KUJTESËS KOMBËTARE. Mjetet e informimit në Shqipërinë e Enver Hoxhës luajtën një rol të rëndësishëm në formimin dhe orientimin e kulturës, rinisë dhe sportit, duke i përdorur ato si mjete të fuqishme propagandistike për të konsoliduar regjimin komunist dhe për të ndihmuar në krijimin e një shoqërie socialiste të kontrolluar.
Sead ZIMERI në shkrimin e tij me titull AUTORITETI QË MUNGON konstaton se, nëse keqinterpretoni një autoritet të gjallë, ata mund të përgjigjen dhe të korrigjojnë interpretimin (projeksionin) tuaj, kurse autoritetet që mungojnë nuk mund ta bëjnë këtë.
Në shkrimin e tij me titull KRONOTOPIA E KËNETËS SI STRUMBULLAR INTERTEKSTUAL, Agron TUFA konstaton se thelbi i romanit “Këneta” të shkrimtarit komunist Fatmir Gjata, niset nga një e vërtetë, por shkrimtari i partisë këtë të vërtetë e shndërron tërësisht të përmbysur, të falsifikuar dhe në fakt, falsifikimi i kësaj të vërtete është një rivrasje e shëmtuar e viktimave dhe martirëve që u dënuan.
Nehas SOPAJ shkruan për Individualitetin letrar të Beqir Musliut, duke theksuar se vepra e tij është metafizikë e realitetit që merret me të vërtetën absolute si kategori estetike dhe në cilën në epiqendër ka Unin e njeriut, botën e kozmosit dhe ëndrrat
Intervistë: Richard Michelson, shkrimtar: GJËJA MË E RËNDËSISHME ËSHTË TË ULESH DHE TË SHKRUASH. (Intervista vjen në shqip, në përkthim të Fitim NUHIUT)
Në këtë numër botohen poezitë e MARIO BELLIZZIT, kurse tregimi është i Xheni SHEHAJT.
Xhahid BUSHATI shkruan për profilin e Isabel Alende.
Një shkrim mjaftë interesant mban autorësinë e Robert SHVARCIT, i cili tregon për përkthimin shqip të veprës së Remarkut.
Leonard VEIZI shkruan për filmin HAREM, një prodhim francez i vitit 1985 në regji të Arthur Zhofei.
Jo vetëm kaq, por në numrin më të ri të revistës HEJZA, do të gjeni edhe materiale tjera.
ObserverKult
Lexo edhe:
NË NUMRIN MË TË RI TË REVISTËS ELEKTRONIKE HEJZA MUND TË LEXONI…