Ardita Jatru: Nëna ime kishte vetëm një fustan



Nëna ime kishte vetëm një fustan
e lante natën dhe e thante pranë furnelës.
Ditën e vishte me aromë të re
Nuk e pyeta asnjëherë pse nuk blinte një të dytë
Nuk desha të kishte një të dytë
Unë ashtu e njoha
me fustanin me lule rozë,
deri te gjunjët.
Kur bleu një këmishë mëndafshi të verdhë
e preva copash natën me gërshërë
dhe mbusha xhepat.
Nëna heshti dy ditë
e unë gëzohesha nga brenda
që ajo vishte prapë të njëjtin fustan
dhe i përsërisja vetes,
sa dua t’i ngjaj.
Tani kam filluar të kuptoj nënën.
Pikëpyetjet e atëhershme i zgjidha,
nga dalin ofshamat
kam filluar të kuptoj
dhe vetëm pse copëtohej,
pse luftonte vetëm.
Fundja pse duhej të kishte një fustan.
Për të gjitha këto, kuptoj një gjë,
rritem dhe i ngjaj asaj
por me fustane të ndryshme
luftoj vetë i dytë
dhe stinët e mia thinjen para pasqyrës.

ObserverKult


Lexo edhe:

NISI FESTIVALI “SANREMO”/ RISIA E SIVJETME: NDRYSHIMI I MËNYRËS SË VOTIMIT…