Nexhmije Pagarusha: Baresha (teksti dhe kënga)

Ju ftojmë të dëgjoni këngën Baresha, teksti i së cilës është shkruajtur nga Rifat Kukaj, ndërsa muzika e komponuar nga Rexho Mulliqi.

Baresha-teksti

Hej, kam rrit shtatin
ndër këto male
bashkë me qingja e me dele
me bylbylat ndër zabele
mbas kumbonës, lojë e gzime
si shqiponja ime.

O era lun’ me barin, o eni shoqe t’lozim
o fusha gaz po m’veshet, o lulet bardhë po qeshin
dridhet mali, çka u ba, o një bareshë prej nesh u nda

Hej, po tingllojnë
shumë kumona
po gurgllon prroni malor
lartë në qiell bjeshka me borë
n’bjeshk’ dashnija vjen e madhe
sot nji fyell u kall…!

Baresha konsiderohet si kënga më identifikuese e bilbilit Nexhmije Pagarusha.


E lindur në maj 1933 në Malishevë, Nexhmije Pagarusha kishte filluar karrierën e saj muzikore në vitin 1948 në Radio Prishtinë. Më 1984 ajo përmbylli karrierën si këngëtare.

Zëri i saj karakteristik e shndërroi në një ikonë të papërsëritshme, bazuar në dhuntitë dhe talentin e saj të pakufishëm.

Përveç këngëtare, ajo ishte edhe aktore filmi e teatri. Për vlerat e punës ajo është nderuar me çmimin “Nderi i Kombit” nga presidenca e Shqipërisë, ndërsa presidenca e Kosovës i ndau çmimin “Artiste e Merituar”.

Nexhmije Pagarusha, vdiq në moshën 86-vjeçare. Ajo la pas vetes plot pesë albume e 88 këngë, prej tyre më të njohurat “Baresha” dhe “Zambaku i Prizrenit”.

Ajo do të mbahet mend si një model referimi për brezat e rinj të artistëve, një yll i pashuar i muzikës shqiptare.

Nexhmije Pagarusha mbylli sytë përgjithmonë më 7 shkurt të vitit 2020.

Përgatiti T.K/ ObserverKult

Lexo edhe:

EDI SHUKRIU: BARESHA E THANËS (NEXHMIJE PAGARUSHËS)

1. (Erë e malit djepin përkundte)

Në mjegullinën e lartësive
kreshtat e Pagarushës ndjenin
se
në prehër një lindje mbanin

Erë e malit djepin përkundte
pranë vatrës foshnja
ninulla vetes i këndonte
e
në prag të njohjes
mësuesi me shkronja në zemër
e peshë mbi supe
ç’është dashuria mësonte

Historinë e Pagarushës
bilbilat e nisën,
këmbëzbathur shpatijeve

Me rritën e gërshetave
zambakët e Prizrenit u gërshetuan
e kalaja jehonën
e zuri në gji…

ObserverKult