Nga folklori ynë: “Mos u përzi n’punë t’hueja!”

(Dobërdol, Prekorupë)

Kâka kanë ni njeri i mirë. Dit’ pej ditsh i vjen deka. Edhe niset për n’at dyjê. Kur shkon n’nifarë vêni, aty u dajshin dy udhë. Njana udhë shkojke për parriz e tjetra për ferr. N’at kryqzim t’udhëve ish tu’ nêjtë ni rojtar. Ai i matke n’kanar t’mirat edhe t’kqijat e atyne qi disshin. Kush kish t’mira ma shum, e lshojke me hi n’parriz e kush kish ma shum t’kqija, i thojke me shkue udhës tjetër për n’ferr.

Kur hypi ky njeri n’atfarë kanari, gati e shamërkoi prej t’mirave qi i kish pasë. S’kish pasë asni mkat. Ai qi e mati, i tha ktij njerit:

-Ka kohë qi punoj ktu e ksi njeri asniherë s’kam matë. Ti paske shumë t’mira. T’baj rixha, kur t’hijsh n’at odë atje, çkado t’shohish, mos fol gja!

Kur hini ky n’atfarë ode, iu parafytyrue ni fiq. N’at fiq dhetë vetë po vjelshin fiqa t’pjekun,  dhetë vetë po vjelshin fiqa gjysë t’pjekun, dhetë vetë po vjelshin fiqa krejt t’papjekun e dhetë vetë po i thejshin edhe rremat. Kur i pa t’dhetit qi po i thejshin edhe rremat, s’mujti me durue e foli:
-Ani se i vjelin fiqat e pjekun, gjysë t’pjekun edhe t’papjekun, po pse me i thye degët?
N’at odë ish kanë ni kujdestar edhe i tha:
-Dil pej ksaj ode, se t’paskan prue gabim, se ktu veç gjinja e mirë rrijnë.
E qitën prej odës. Kur duel n’udhëkryq n’at vên ku i matshin gjinen a janë t’mirë a t’kqij, kanarxhija e veti:
-Çka u ba me ty? Njeri kaq t’mirë e me t’qitë prej ode âsht e pa mujtun! Çka fole?
-I pashë n’odë se qysh dhetë vetë n’ni fiq po vjelshin dhetë fiqa t’pjekun, dhetë fiqa gjysë t’pjekun, dhetë fiqa t’papjekun e dhetë vetë po i thejshin degët. Hajt qata qi vjelshin fiqa gjysë t’pjekun edhe fiqa t’papjekun, po qata t’dhetit pse me i thye degët?  Kur t’thehen degët s’ka fiqa.

Rojtari n’udhëkryq i tha:
-Kâke përzie npunë t’hueja, n’punë t’zotit. Temsili i atyne qi kanë vjelë fiqa t’pjekun, âsht qi desin pleqt; temsili i atyne qi kanë vjelë fiqa gjysë t’pjekun âsht  desin  t’mesmit; temsili i atyne qi kanë vjelë fiqa t’papjekun, âsht qi desin t’rijtë.
Po degët, pse i thejnë degët?
-I thejnë se duhet me dekë edhe ata qi janë ka ni i vetëm. Degët janë qata gjin qi zoti u ka falë sall ka ni fmijë e jau merr edhe qata.

Zoti apet çon e i thotë atij që i matte t’mirat e t’kqijat e atyne qi disshin.
Ktheje edhe ni herë atje ku ish!
Ky e kthen. Kur hini n’at odë, prap ktij njerit t’mirë iu parafytyrue ni bjeshkë midis ode. Ka dhetë vetë po e ngrejshin n’t’katër anët.
Ata ishin kanë t’katër feve. I kqyri, i kqyri ky njeri e dikur nuk mujti me u pritë pa i vetë:
-Çka po bâni kshtu, bre?
-Po dona me e rrxue bjeshkën.
-S’rrxohet bjeshka tu’e ngrehë n’t’katër anët. Kthehi e dilni t’gjithë n’njan’anë se kshtu rrxohet. Se, sa fuqi ka njana palë, aq ka edhe tjetra e asnjana s’un e rrxon bjeshkën.
Ai qi bânte rojë n’odë i tha:
-Dil, se ti s’e paske venin ktu! T’paskan prue gabim.
E qitën apet njerin e mirë përjashta. Ai qi rrinte n’udhëkryq e veti:
-Çka fole qi t’qitën apet prej odës?
-Kur hina aty, m’u përfytyrue ni bjeshkë n’midis t’odës . N’t’katër anët kah dhetë vetë po ngrejshin me e rrxue bjeshkën. I pashë se po u munojshin badihava e u thash: ,,Bjeshka nuk rrxohet ashtu. Duhet me ardhë të tanë n’ni anë edhe m’e ngrehë n’qat anë. Qashtu rrxohet bjeshka.
Ai rojtari ja priti?

Kâke përzi n’punë t’hueja, se tânë qata, n’at bjeshkë e kanë zotin, pra të tanë e kanë ni zot e të tanë dojnë m’e pasë për veti.
Qat’herë njeri i mirë e muer  vesh se s’duhet me u përzi n’punë t’hueja.

(Shkëputur nga libri i Anton Çettës “Nga folklori ynë  I”)

Përgatiti: ObserverKult


Lexo edhe:

ANTON ÇETTA: DO TË VIJ PRAPË, POR PËR NJË PUNË TJETËR, EDHE MA TË MADHE SE KJO

Nga: Blerim Latifi

Në vitet pesëdhjetë të shekullit të kaluar, një pjesë të madhe të kohës së tij, Anton Çetta, e kishte kaluar nëpër fshatra të Drenicës.

Ai ishte etnograf dhe kishte marrë përsipër projektin e mbledhjes së tregimeve popullore në gjithë Kosovën, para se tregimtarët e fundit të tyre të vdisnin.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult