Nga mua apo nga unë? nga Eroll Sejdiu
Drejtpërdorimi i përemrave në ligjërim
Në ligjërimin e folur dhe në të shkruarin vihen re përdorime të gabuara të trajtave rasore të përemrave vetorë.
Më të shpeshta janë rastet e përdorimit të trajtave: neve, juve për: ne dhe ju, pra përdoret gabimisht trajta e rasës dhanore në vend të trajtave të rasës kallëzore dhe emërore.
P.sh.:
Neve e filluam punën (për: Ne e filluam punën).
Me veglat që kemi neve (për: Me veglat që kemi ne).
E njëjta dukuri ndodh edhe kur përdoren me parafjalë. P.sh.:
Nga neve priten suksese (për: Nga ne priten suksese).
Po kështu, vihet re që pas parafjalëve nga e te(k), përdoren format e rasës dhanore.
P.sh.:
Eja tek mua (për: Eja tek unë).
Nga mua mos prit gjë të keqe (për: Nga unë mos prit gjë të keqe).
Gabime hasen edhe gjatë përdorimit të trajtave të shkurtra. P.sh.:
I tha atyre (për: U tha atyre).
Ia dha atyre (për: Ua dha atyre).
Na i dha fjalën (për: Na e dha fjalën).
Në ligjërim ka dhe përdorime të gabuara të përemrave pronorë. Kështu, dihet që përemri pronor vihet në rasën e emrit që përcakton, por ndodh që përdoret rasa kallëzore në vend të trajtës së dhanores ose rrjedhores. P.sh.:
Iu përgjigj pyetjes time (për: Iu përgjigj pyetjes sime); prej shkollës time (për: prej shkollës sime); motrës time (për: motrës sime); kopshti i gjyshes tënde (për: kopshti i gjyshes sate).
Po kështu te përemrat pronorë vihet re dhe mospërshtatja në gjini. P.sh.:
Qyteti jonë (për: Qyteti ynë).
Rrethi jonë (për: Rrethi ynë).
Mendimi jot (për: Mendimi yt).
Duhet pasur parasysh se përemrat: im, ime, yt, jote, ynë, jonë, juaj: nuk marrin asnjëherë nyja të përparme. P.sh.:
Shoku i im (për: Shoku im).
Shoqja e ime (për: Shoqja ime).
Miku i yt (për: Miku yt).
Mikja e jote (për: Mikja jote).
Shoqja e jonë (për: Shoqja jonë).
Shoqja e juaj (për: Shoqja juaj) etj.
Edhe përemri pyetës “kush” shpesh përdoret gabim kur shoqërohet me emra: Kush nxënës mungoi? (për: Cili nxënës mungoi?); Kush roman të pëlqen (për: Cili roman të pëlqen?; po ashtu kur përdoret për të pyetur për frymorë në numrin shumës; Kush(!) erdhën? Duhet: Cilët erdhën dhe jo kush erdhën(!).
ObserverKult
————————
Lexo edhe: