Nga rrënoja në atraksion turistik, çelet shtëpia e At Gjergj Fishtës

Falë një investimi prej 5.5 milionë lekësh nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë, shtëpia e At Gjergj Fishtës në fshatin Fishtë është shndërruar në një muze që rrit atraksionin turistik në të gjithë zonën. Shtëpia e rinovuar u përurua ditën e sotme, gjatë një vizite të kryeministrit Edi Rama.

Objekti i rikthyer në identitet është shtëpia ku autori i “Lahutës së Malësisë”, një prej penave dhe Rilindasve më të shkëlqyer që ka nxjerrë Shqipëria kaloi vitet e tij të rinisë. Për hërë të parë, shtëpia u shpall monument kulture në vitin 2008, por asnjëherë në të nuk ishte vënë dorë, duke bërë që ajo të degradonte deri në pikën që të rrezikonte shkatërrimin e plotë.

Për fat të keq, shtëpia ku Ati lindi tashmë nuk ekziston më. Godina u shpall monument kulture në vitin 1991, por në 1994-n u shemb përfundimisht. Në atë vend mendohet të ngrihet një shesh dhe një monument përkujtimor për veprën dhe jetën e Gjergj Fishtës.

Rindërtimi i shtëpisë ku Fishta kaloi fëmijërinë e tij është vetëm një ndër hallkat e projektit “Gjurmët Fishtiane”, që synon të nxjerrë nga harresa të gjithë vendet ku Rilindasi kaloi etapat e jetës së tij. Midis ndërhyrjeve të studiuara është famullia e Troshanit, vendi ku u zbulua në moshën 6-vjeçare talenti i tij i jashtëzakonshëm dhe shkolla françeskane në Shkodër, aty ku Gjergji mori formimin e tij të parë.

Një fond i posaçëm pritet t’i dedikohet restaurimit dhe pasurimit të bibliotekës brenda Kuvendit dedikuar figurës së Fishtës. Një tjetër gjurmë fishtiane është Kuvendi i Troshanit, përuruar në vitin 1882, vendi ku Ati kthye në vendlindje si mësimdhënës.

Brenda Kuvendi të Troshanit, i shpallur monument kulture shumë vonë, vetëm në vitin 2017, mendohet të krijohet një kënd unik kushtuar Fishtës. Një tjetër propozim i përket restaurimit dhe muzealizimit të selisë së shoqërisë “Bashkimi”, që bashkoi së bashku me Fishtën edhe personalitete të shkëlqyera, si: Luigj Gurakuqi, Dom Ndoc Nikaj, Atë Ambroz Marlaska, Franc Baron Nopça, etj, transmeton ‘konica.al’.

Në shoqërinë “Bashkimi”, Fishta mori pjesë aktivisht në të gjithë botimet e shoqërisë, duke nisur nga Abetarja, librat e këndimit dhe deri tek përpilimi i një fjalori të vyer të gjuhës shqipe. Shndërrimi në muze i kësaj godine, aktualisht gjysmë të rrënuar, në lagjen “Sarreq” të Shkodrës, do t’i shtonte pas Marubit, një tjetër muzeum me shumë vlera Shkodrës. Të tjera objekte ku mendohet të ndërhyhet për t’u përkujtuar jeta dhe vepra e Gjergj Fishtës, janë Kisha famullitare e Dom Lleshit – Zoja Nunciatë, në Lezhë, si dhe Kisha famullitare e Gomsiqes.

Ekziston gjithashtu një propozim për të krijuar një kënd të ri dedikuar Fishtës edhe në godinën ku u mbajt Kongresi i Manastirit, në Maqedoni dhe ku Fishta, si përfaqësues i shoqërisë “Bashkimi”, ligjëroi në mbështetje të një alfabeti latin. Paralelisht, ministria e Kulturës ka parashtruar edhe disa propozime të tjera, si ai për ngritjen e një faqe dixhitale që të përkujtojë jetën dhe krijmtarinë e At Gjergj Fishtës, nritja e një memoriali të bashkëjetesës fetare në Shkodër dhe në Tiranë, ku të citohen fjalët e Papa Françeskut në vizitën e tij në Shqipëri, kur tha se: “Në Shqipëri nuk ka bashkëjetesë fetare, por vëllazëri fetare” dhe ngritja e një busti në “Villa Borghese” në Romë, krahas autorëve të tjerë të famshëm, si Gëte. Fshati Fishtë është gjithashtu një ndër përfituesit e programit të “100 fshatrave” turistikë. Këto do të ishin të paplota, nëse edhe fshati Fishtë nuk do t’i nënshtrohej një ndërhyrje të plotë dhe të gjithanshme, si pjesë e projektit të “100 fshatrave”.

Gjatë përurimit ishte i pranishëm vetë kryeministri Edi Rama, që vizitoi shtëpinë e poetit, atdhetarit dhe rilindasit të madh shqiptar, At Gjergj Fishta.

I shoqëruar nga ministrja e Kulturës, Margariti, Rama është ndalur sot në fshatin Fishtë të Lezhës, ku është mbajtur ceremonia e përfundimit të restaurimit, në ditën e lindjes së Gjergj Fishtës.

Pas shumë problemesh me pronësinë e tokës, por edhe vështirësi të hasura gjatë restaurimit, pasi shtëpia e Fishtës rrezikonte të shembej, tashmë është kryer restaurimi i plotë.

Postimi i Edi Ramës:

SHTËPIA E RINDËRTUAR E AT GJERGJ FISHTËS çel dyert në këtë përvjetor të lindjes së tij, në Fishtën e bukur ku prej sot ka një arsye më shumë për t’u ndaluar e shijuar ajrin e natyrës dhe historisë shqiptare

Dita e vdekjes e Naimit dhe dita e lindjes së Gjergj Fishtës, duket sikur janë vendosur me dorën e Zotit për të ndjekur njëra-tjetrën. Të dy e kanë merituar lavdin e të qenurit “Homerë të Shqipërisë ”. Të dy lirikë e të dy epikë. Të dy etër të shqipes së shkruar e të folur mbi dy partitura të ndryshme muzikore. Njëri tosk e tjetri geg, Naimi dhe Gjergji janë dy zërat e Shqipërisë dykrenare, asaj të jugut plot gurgullima e asaj të veriut plot bubullima.

Të dy të ngjizur me mistikë e të përkryer në politikë, në politikën e shërbimit të kombit të vuajtur e të paepur, jo në atë të “vagabondave e shakllabanve, që rrin tash sa mot tu’u talle npër ne, me na qelb fis e atdhe”.

At Gjergji ishte ëndërrimtar e ishte usta. Prej oratorisë s’krështenë, formue pranë De Martinos dhe Mihaçeviqit dhe nën hijen e “cathedra Petri”, në një kohë lulëzimi të literaturës katolike, françeskani sqimatar përftoi nji t’ligjëruem plot tharm e forcë që mbas vedit tërhiqte gjithkënd.

Zoti i Shqiptarëve e begatoi me ndjesitë e dhuntitë më depërtuese në shpirtin shqiptar. Stoicizmi i tij ishte sa diellor aq dhe hënor. Për ne shqiptarët, ai është një zgjidhës nyjesh gordiane, nga ajo e alfabetit dhe paqtimit mes elitës katolike e shtetit modern shqiptar, tek ruajtja e kufijve të jashtëm të këtij vendi e naltësimi në vendin që i takonte të “universitas” gegë në të larmishmen Shqipëri. Sa ishte një Homer shqiptar i thellësive shpirtërore, Gjergj Fishta ishte edhe një Perikli i betejave madhore.

Si një françeskan i mirë përpara sulltanit të Egjiptit, trubaduri i Lahutës së Malcis u bë mburojë e së drejtës dhe e drejtpeshimit; këtu duke marrë në mbrojtje Shqypnin e mesme, që ca intelektualë me poture e quanin djep të anadollakëve, aty tue lshue anatemën mbi ksenofobinë me guzhinjeta. Ky frat që kishtë bredhur botën e në gjoks mbante dekoratat e shteteve fqinj, ishte një patriot i kulluar dhe një antinacionalist i bekuar; frymëzuesi i më të mirëve të këtij vatani dhe tmerri i mediokërve të çdo sahani.

Meshtari që kremtonte veç në gjuhën e Horacit e të Shën Jeronimit, e që në atë rang e nivel ngriti gjuhën e shqiptarëve të maleve, është përnjimend një Judas Makabe i shekullit XX. Heroit të madh biblik judeas që aq shumë e frymëzonte, Gjergj Fishta i përngjan për nga ideali, martiri shpirtëror, përkushtimi ndaj tempullit të Zotit e altarit të atdheut dhe fjala që kocka s’ka po kocka thyen.

U falemi Orëve të Shqipërisë që na falën një kolos të tillë!

“Ave Reverende Pater ac summe magister, morituri te salutant”