“Nisu me ardhë”, poezi nga Rozafa Shpuza

Poezi nga Rozafa Shpuza

Nisu me ardhë,
kur dufet e mallit shkapesin
mllefin e lamtumirave inatçore
e muzgu hamshor i turret vrikthi
filigranit naziq të horizontit.
Nisu me ardhë,
netve të bjerruna n’arkapijat e stinve
që si magjistrica ta presin rrugën.
Nisu me ardhë,
me valixhe të palosun rrëmujshëm
e këpucë hangrun prej rrugtimesh!
Nisu me ardhë,
netve të gushtit kur fari tjerrë vetminë
e guackave krah-thyeme.

Eja…
veç mos pyet për mue në portin
e spirancave të ndryshkuna.

(Shkëputur nga libri ‘Grizhlat’ i Rozafa Shpuzës)

Përgatiti: ObserverKult


rozafa shpuza ekspozita

Lexo edhe:

ROZAFA SHPUZA: FMITË E DUGAJVE T’REJA

Im vlla koleksiononte pulla poste
në nji bllok kapakkuq
mshehun diku ndër hatlla
mbi gugatjet e pllumbave me kaçirubë.
N’zheg zhbirilonim me lupë emna të panjoftun shtetesh
e harta jonë haperdahej mbi tjegulla,
tue sfidue çdo ditar eksploratori.

Na ishim fëmitë e Dugajve t’Reja,
me imagjinatë t’harlisun
që kalamendej rreth nji bote t’vulosun
me silueta njerzish e rrugicash t’ylberta
që shpërlaheshin nën nji trumë.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:


ROZAFA SHPUZA: DRITËHIJET E PRISHTINËS

Tregimi i Rozafa Shpuzës, “Dritëhijet e Prishtinës”, që e fitoi çmimin e parë për prozë në manifestimin “Flaka e Janarit”

Ndoshta trekandëshi i dritës krijuem mes atyne kambëve të gjata, t’nguluna si kompas imagjinar në trotuarin e shpuem përçudshëm prej hunjsh, ku valëviten teneqe me emna rrugësh, që duken sikur janë aty veç me m’diftue se ky kryeqytet ka me m’tundue pashmangmënisht me arkitekturën e tij kryeneçe, m’ban me hapëzue përhanshëm mbas tij. Hija, e ndërkallun tërthoras me trekandshin e dritës, derdhet mbi mue. Ndihem pezull, marrisht e joshun nga ky kryeqytet pa lum. Kam lexue dhe kam pa shumë kronika të luftës, kësisoj imagjinata m’ka servirë nji pamje disi ndryshe të këtij vendi, që saora vorbullohet prej tufa të shkujdesuna korbash.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult