Nizar Kabani: Kur në lindje shfaqet hëna…

nizar qabbani: nizar kabani

Kur në lindje shfaqet hëna…
dhe tarracat e bardha i merr gjumi
nën dritën e atij lëmshi vezullues…
njerëzit braktisin dyqanet dhe turren në grupe
të takojnë hënën…
Me vete mbartin bukën dhe radion, drejt majes së maleve
por dhe lëndë narkotike…
Atje blejnë e shesin… imagjinatë
dhe imazhe…
ata vdesin, ndërkohë që jeton hëna…
*
Çfarë i shkakton ai disk vezullues
atdheut tim…
tokës së profetëve
vendit të modestëve…
duhanpirësve dhe tyxharve të drogës…?
Çfarë të na bëjë hëna,
kur e kemi humbur krenarinë…
dhe medet nga qielli kërkojmë?
Çfarë mund të gjejnë në qiell
ca dembelë të zaiftë
që vdesin kur jeton hëna…
dhe shtrijnë duart mbi varret e evlijave…
me shpresë se me oriz, por dhe fëmijë do i furnizojë …
Ata shtrojnë sixhadet luksoze
ngushëllohen me opiumin që e quajnë kismet…
dhe fat…
në vendin tim dhe të njerëzve të thjeshtë…
*
Ç’është kjo këputje dhe degradim që na kaplon
sa herë që drita drejt nesh vërshon
qilima kudo, mijëra shporta,
filxhanë çaji dhe fëmijë që rendin mbi kodra.
Në vendin tim
ku qaraviten naivët
dhe jetojnë në dritën që nuk e shohin.
Në atdheun tim
ku jetojnë njerëz pa sy në ballë…
ku naivët qaraviten…
luten…
kurvërojnë…
mbajnë gjallë servilizmin
dhe presin ç’të bjerë nga qielli…
I kërkojnë hënës:
O gjysmë hënë…
o burim diamantesh
hashashi dhe përgjumje…
o ti perëndi e mermertë e varur në hava
o gjësend që besë nuk zihesh në këtë dynja
rrofsh në jetë të jetëve, për lindjen dhe për ne
qofsh bistak diamantësh
për milionat që trurin e kanë flakur tutje.
*
Gjatë netëve të lindjes, atëherë kur
hëna mbushet e plotë…
lindja zhvishet nga dinjiteti i saj
dhe nga rezistenca…
Miliona rendin këmbëzbathur…
por me besim në martesën me katër gra
dhe në ditën e Gjyqit të madh…
Milionat që nuk e shohin bukën…
veçse në ëndrra…
ata që natën e kalojnë në shtëpi plot kollë…
pa e ditur çfarë janë ilaçet
si kufoma të shtrira nën dritë…
Në vendin tim…
aty ku qaraviten budallenjtë…
dhe vdesin duke qarë…
sa herë shohin gjysmëhënën
dhe ku u rrjedhin lotët çurg
sa herë i shkund lahuta
dhe vdekja.
Në vendin tim
në lindjen e fiksuar
pas historisë
ëndrrave letargjike
dhe miteve boshe.
në lindjen tonë,
e cila është në kërkim të heronjve
në të shkuarën e saj.

*Titulli origjinal i poezisë: Bukë, hashash dhe hënë…

Përktheu: Elmaz Fida

Shënim nga përkthyesi: “Bukë, hashash dhe hënë” është nga poezitë që shkaktoi debat të madh në botën arabe, pasi Kabani, qëllimisht e zhvesh personalitetin e luhatshëm të qytetarit arab, mes përkushtimit fetar dhe shthurjes, spirutualitetit dhe epshit, romancës dhe realitetit, delirit dhe aktualitetit. Në sytë e Nizar Kabanit, qytetari arab blen e shet imagjinatë, në vend që të punojë dhe të përpiqet të ndryshojë gjendjen, ai e përshkruan arabin si qaraman, të pafuqishëm, naiv, që e sheh shpëtimin tek gjithçka tjetër, por jo tek vetja. Poema eksploron efektet çnjerëzore të shtypjes, ajo kritikon pasivitetin dhe dëshpërimin e një populli që ka humbur lidhjen me realitetin.

ObserverKult

Lexo edhe:

BUQETË POEZISH PËRKTHYER NË SHQIP NGA ELMAZ FIDA