Nizar Qabbani: Plagë me dy këmbë kam mbetur

Nizar Qabbani

Poeti sirian Nizar Qabbani, gjatë qëndrimit në Bagdad vitin 1962, u ftua të recitojë disa nga poezitë e tij gjatë festivalit të poezisë arabe.

Teksa recitonte poezitë e tij, poetit i shkojnë sytë tek një vajzë irakiene tek të njëzetat, bukuria e të cilës e dehu. Sytë e tyre u takuan disa herë, për t’ia lënë vendin zemrave më pas. Pas prezantimit të poezive të tij, Nizar Qabbani pyeti për të dhe ia mësoi dhe emrin, Belkis Ravi dhe i gjeti edhe adresën. Ajo jetonte me familjen në lagjen Adhamija, në një vilë luksoze, me pamje nga lumi Tigris.

Vajti dhe kërkoi dorën e saj, por tradita arabe sipas të cilës familja e refuzon fejesën e vajzës me djemtë që kanë flirtuar me të, bëri që i ati ta refuzojë.

Nizar Qabbani u kthye zemërthyer në Spanjë ku punonte në ambasadën siriane. Megjithatë, imazhi i fytyrës së ëmbël të Belkisës i mbeti i gdhendur thellë në kujtesë. Arriti të vendosë dhe korrespondecë me të dashurën e zemrës, sigurisht fshehurazi të atit të saj fanatik.

Pas shtatë vitesh ai u kthye përsëri në Irak për të marrë pjesë në një konkurs poezie, ku prezantoi kasiden e tij për Belkisën, e cila preku ndjenjat e dëgjuesve. Të gjithë e kuptuan se ajo i kushtohej një historie dashurie të thellë dhe ku ndër të tjera thoshte:

Plagë me dy këmbë kam mbetur
Forcat e mia më janë tretur
Plagët e mia, si të imam Husejnit janë
Zemra e shpirti, pikëllimin e Qerbalasë kanë
Prej kohësh dëshpërimi më shoqëron
Të paktë janë shokët e kohës tonë
Të dashurit e bregut të lumit si i kam
Dashamirët vallë si janë?
Këtu, dikur, një princeshë dashurie pata
Më humbi e shtrenjta, siç vdiret dita nga nata
Ku është ajo fytyrë e Adhamijas, plot nur kur e kundron
Ku është ajo që vetë qielli e xhelozon.
Sindibad detari, i rrënuar nga detrat jam
Sytë e të dashurës time, portin e vetëm kam

Historia dhe poezia e tij i mbërriti në vesh vetë presidentit të Irakut, Ahmed Hasen Elbekr, i cili u prek dhe menjëherë dërgoi ministrin e rinisë, Shefik Kemali dhe zv. e ministrit të jashtëm, si shkues për të kërkuar dorën e vajzës për poetin. Vetëm atëherë i ati e pranoi poetin Nizar Qabbani për dhëndër dhe çifti u martua vitin 1969. Martesa e tyre zgjati deri në vitin 1981, kur e shoqja mbeti e vrarë nga shpërthimi i ambasadës së Irakut në Bejrut, gjatë trazirave që patën përfshirë Libanin.

Përktheu: Elmaz Fida

ObserverKult

______________________

Lexo edhe:

NIZAR QABBANI: MË MËSO, SI TA SHOH DASHURINË PAS TË DYZETAVE…