“Biografia e një xhelati arab”, nga Nizar Kabani
O njerëz:
Që sot jam sulltani juaj
dhe më adhuroni, pasi t’i ktheni thyer idhujt tuaj…
Unë nuk shfaqem gjithmonë
prandaj uluni mbi rrugën e durimit,
që të më shihni.
I lini fëmijët pa ngrënë
dhe i lini gratë pa burrë,
por nga unë mos u shqitni.
Falënderoni Zotin për këtë mirësi,
që më zgjodhi mua, të bëj histori
e pa mua historia nuk shkruhet assesi.
Unë jam Jusufi në hijeshi
dhe Zoti s’ka krijuar flokë të artë të ngjashëm me flokun tim
as një ballë profetik
as sy të ngjashëm me një pyll ulliri e bajamesh
si sytë që qëndisin ballin tim,
prandaj luteni Zotin ta ruajë dritën e syve të mi.
O njerëz:
Unë jam Mexhnuni i Lejlasë
prandaj mi sillni gratë t’i çiftoj…
kurse burrat të vijnë e të më falënderojnë
Është nder i madh të hani grurin e trupit tim
dhe të vilni bajamet dhe fiqtë e mi
Është nder të më përngjani mua
se unë jam mrekullia që s’është përsëritur
që prej mijëra shekujsh.
2
O njerëz:
Unë jam i pari dhe më i drejti,
më i hijshmi ndër sundimtarë
Unë jam hëna e plotë në terr,
jam bardhësia e jaseminit.
Unë jam shpikësi i trekëmbëshit të parë
dhe më i miri të dërguarve…
Sa herë mendoj të tërhiqem nga froni
ma ndalon ndërgjegja.
Kush pas meje, do i sundojë këta njerëz të mirë?
Kush do i shërojë të çalët, lebrozët dhe të vërbërit?
Kush do i ngjallë eshtrat e të vdekurve?
Nga pallto e kujt do buisë drita e hënës?
Kush do u sjellë shi njerëzve?
Kush do i fshikullojë nga shtatëdhjetë kamxhikë?
Kush do i kryqëzojë mbi pemë?
Kush do i detyrojë të jetojnë si lopët
dhe të ngrodhin si lopët?
Sa herë e çoj nëpër mend t’i braktis
lotët më vërshojnë si re…
Kështu, iu mbështeta Zotit…
dhe vendosa ta shaloj këtë popull…
prej tani, e deri në ditën e qametit…
3
O njerëz:
Unë jam pronari juaj
siç jam i kuajve dhe dhe skllevërve
Unë shkel mbi ju, siç shkel mbi sixhadet e pallatit tim
prandaj, mu përulni kur të brof në këmbë
m’u përkulni edhe kur të ulem
sepse u gjeta
mes tapive të gjyshërve të mi.
Bëni kujdes, e mos lexoni asnjë libër
sepse lexoj unë për ju…
Bëni kujdes e mos shkruani asnjë shkresë
sepse shkruaj unë për ju…
Bëni kujdes e mos dëgjoni Fejruzen, fshehurazi
sepse unë i di qëllimet tuaja
Bëni kujdes e mos hyni në varr pa lejen time
se është mëkat i madh.
Ma vini veshin sa herë t’u flas
sepse fjalët e mia janë vetë Kurani famëlartë…
4
O milet!
Unë jam Mehdiu juaj, prandaj më prisni
gjaku im pulson jetë, prandaj pijeni
Hiqni dorë nga këngët që fëmijët ia dedikojnë
dashurisë për atdheun
sepse unë jam atdheu juaj.
Unë jam i vetmi dhe i pavdekshmi mes qenieve
unë jam në kujtesën e mollës dhe flautit
dhe jam kaltërsia e qiellit.
I mbani fotografitë e mia në sheshe
më mbuloni me re elozhesh
më sillni vasha të reja…
sepse unë nuk plakem…
trupi im se njeh pleqërinë…
burgjet e mia nuk e njohin vjetërsinë
dhe aparati shtypjes në mbretërinë time nuk di të plaket…
O njerëz!
Unë jam vetë Haxhaxhi, nëse e heq maskën më dalloni menjëherë
Unë jam Xhinkiz Khani dhe u kam sjellë
heshtat e mia, qentë e mi dhe burgjet e mia
Mos u ndjeni ngushtë nga brutaliteti im
sepse unë u vras që mos më vrisni…
u var që mos më varni…
dhe u varros në varre masive
që të mos më varrosni mua…
5
O njerëz!
Blijini gazetat që shkruajnë për mua,
ato shiten rrugëve, si prostitutat.
Blijini lapsat dhe letrat jeshile të lëmuara si degë pranvere,
bojërat, makinat e shkrimit
sepse në kohën tonë, gjithçka blihet, madje dhe gishtat…
Blijeni frytin e mendimit dhe ma sillni
më gatuani një poet,
dhe ma vini para pjatave me ushqim…
Unë jam analfabet dhe vuaj nga kompleksi i asaj që shkruajnë poetët
prandaj mi blini poetët që i këndojnë hijeshisë time…
dhe më shndërroni në yllin e kopertinave
Yjet e kërcimit dhe teatrit nuk janë më të hijshëm se unë
sepse unë, falë parasë, mund të blej ç’të dua
blej divanet e poetëve më të mirë,
dhe gjuhët e tyre
pasi milionat e shtetit
s’janë veçse trashëgimia e tim eti
Prandaj, merrini florinjtë e mi
dhe shkruajeni në librat e rëndësishëm
që koha ime është ajo e Harun Reshidit.
6
O njerëzit e vendit tim:
o popuj arabë
unë jam një shpirt i qashtër, erdha t’u laj nga pluhuri i injorancës
regjistrojeni zërin tim në kaseta,
sepse ka ritmin e një shtaërvani andaluzian
Më pikturoni si Xhakonda
fytyrë ëmbël si fytyra e një medaljoni
Më fotografoni
teksa ha poezinë me dhëmbë…
dhe thith gjakun e alfabetit.
Më fotografoni
me gjithë autoritetin,
madhështinë time,
dhe bastunin ushtarak.
Më fotografoni
duke gjuajtur ndonjë kaproll, apo dre
më fotografoni…
kur ju mbaj në supe, drejt banesës së përjetësisë
o milet barngrënës arab
7
O milet:
Unë jam përgjegjës për ëndrrat tuaja,
sa herë të ëndërroni…
jam përgjegjës për kotheren që hani
dhe për çdo harf që pas shpinës time lexoni.
Aparati i sigurisë në pallatin tim
mi sjell haberet e zogjve, të kallinjve
dhe çfarë ndodh në barkun e grave shtatzana.
O njerëz: Unë jam gardiani i burgut tuaj
dhe unë jam i burgosuri juaj
prandaj, më ndjeni
që jam syrgjynosur brenda pallatit tim
ku nuk shoh diell, as yll as ndonjë lule oleandër
Që ditën që mora pushtetin si fëmijë
më rrethojnë kllounët e cirkut
dikush i bie flautit
dikush daulles
një i tretë më fshin këpucët
e një i katërt sandalet…
Që kur mora pushtetin, si fëmijë…
asnjë nga oborrtarët e pallatit s’më ka thënë “jo”
as ndonjë nga vezirët
ambasadorët
apo qoftë dhe gratë në shtratin e dashurisë.
Ata më kanë mësuar ta shoh veten perëndi
kurse popullin, nga ballkoni ta shoh si rërë
Unë kurrë s’ka vrarë për hir të vrasjes..
unë ju vras vetëm për t’u argëtuar.
Perktheu: Elmaz Fida
ObserverKult
Lexo edhe: