Nizar Qabbani: Qëndro si je…

Nizar Qabbani

Poezi nga Nizar Qabbani


“S’të tjetërsoj dot
e as të të sqaroj s’mundem.
Kurrë mos beso se burri mund ta tjetërsojë gruan.
Ata q’e pohojnë janë ca fodulla
të cilët vërtetë mendojnë
se gruaja lindi
nga njëra brinjë e tyre.
Gruaja s’ka lindur nga brinja e burrit, kurrësesi,
është burri që ka lindur nga bark’ i saj,
si peshku që del prej thellësisë së ujit,
dhe bash siç rrjedhin degëzimet e një lumi.
Është ai q’e qarkon diellin e syve të saj
dhe e përfytyron atë të ngulitur.

S’të shtroj dot
s’mundem as të të zbus
e as të të ftoh gjakrat.
Ndërmarrje e pamundur
mbi ty kam ushtruar mprehtësinë time
siç dhe trashësinë.
Asgjë s’të bën derman, as këshillimi
e as tundimi.
Qëndro siç je, e egër.

S’të çmësoj dot
për plot tridhjetë vjet ti ke qenë e tillë
për treqind vjet
një stuhi e taposur në një shishe
një trup që vetvetiu ndjen erën e burrit
vetvetiu i vërsulet
vetvetiu ngadhënjen mbi të.

Ti kurrë mos beso ç’thotë burri për vetveten
se është ai që sjell në jetë vargjet
se është ai që sjell në jetë fëmijët.
Është gruaja ajo që i hedh në letër vargjet
dhe burri ai që firmos në fund.
Është gruaja ajo që mbart fëmijët
dhe burri ai që firmos në maternitet
atësinë e tyre.

S’mundem ta tjetërsoj atë që ti je
librat e mi s’kanë vlerë për ty
dhe bindjet e mia ty s’të bindin
as këshilla ime atërore s’ështe e duhur.
Ti je mbretëreshë e rrëmujës, e marrisë, e përkatësisë
së askujt.
Qëndro e tillë!
Je pemë e vajzërisë që rritet në errësirë
s’i lipset dielli e as uji
ti prijësja e detërave që ka dashur gjithë burrat
dhe s’do asnjërin
ka qenë në shtrat me gjithë burrat…. dhe me asnjërin
je endacakja që ka shkuar me gjithë fiset
dhe është kthyer mbrapsht e dëlirë
Qëndro e tillë!”


Përktheu: Edon Qesari

ObserverKult

Lexo edhe:

NIZAR QABBANI: KAM NISUR TË TË NGJAJ NËNOKJA IME