Nizar Qabbani: Unë të zgjodha ty, prandaj zgjidh ti

Mes vdekjes mbi gjoksin tim
apo poemave në fletoret e mia.
Zgjidh dashurinë… ose jodashurinë,
sepse është burracakëri të mos zgjedhësh.
Nuk ekziston një zonë qendrore
midis parajsës dhe ferrit.
Hidhi letrat e tua një nga një
do të ujdisem me çdo vendim.
Thuaj, reago, turfullo!
mos qëndro si gozhda.
Nuk mund të rri stepur përgjithnjë
si kashta nën shira
Zgjidh një fat midis dyve
Ah, sa të plumbta janë fatet tona.
E rraskapitur je ti… dhe e frikësuar.
Kridhu në det ose largohu
Nuk ka det pa marramendje
Dashuria është një përballje e madhe.
Lundrim kundër rrymës
kryqëzim, ndëshkim dhe lot
edhe arratisje mes hënash.
Frika jote më vret, o vajzë,
kurse ti argëtohesh pas perdesh.
Unë nuk besoj në një dashuri
që nuk e lidh përbindëshin e revolucionarëve.
që nuk i shemb të gjitha muret
që nuk godet si uragani.
Ah, sikur dashuria jote të më gllabërojë,
të më flakë si uragani..
Unë të zgjodha ty, prandaj ti zgjidh
mes vdekjes në gjoksin tim
ose poemave të mia fletoreve.
Nuk ekziston një zonë qendrore
midis parajsës dhe ferrit.

Përktheu: Agron Islami

ObserverKult

———————————

Lexo edhe:

Nizar Qabbani: Vallë, cila je ti moj grua?