
Janë kohë të paqena.
Kohë pa kohë.
Globit
i është hedhur një vello
që kundërmon barut.
Behari
nuk i triumfon më degës.
Zogjtë shtegtarë
humbin udhët.
Pranvera
është zmbraps nga lakmia e njeriut.
Këtë herë
Persefona
e ka më mirë në Had.
Fëmijët
nuk kursehen.
As shkollat.
As spitalet.
As foltoret.
Askush
nuk dallon më
zilen e shkollës
nga alarmet
e bombardimeve.
Ata në kostume
vizatojnë
linja në letra,
zgjerojnë megje,
shtrojnë meze të tepruara.
Duam më shumë, thonë.
Më shumë
grryerje.
Më shumë
eksploatim.
Më shumë
pushtet
të larë në gjak
në këtë
top të vogël
në univers.
Kundërmon,
Frikë.
Urrejtje.
Mllef.
Tani, kur Bota
ka marrë tatëpjetën.
Asnjë kahje
nuk shihet qartë.
Vendi im
në amulli:
çjerre,
ropatje,
krokatje
për karrika.
Ndërkohë
një kope ujqërish
vëzhgon
në heshtje
dhe mpreh
dhëmbët.
ObserverKult
Lexo edhe:






