Cikël poetik nga Nora Prekazi: Ode mocanikëve

nora prekazi ame

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish të Nora Prekazit, shkëputur nga libri “Amë” (Littera, 2023)

nora prekazi

Kozmos

Ne jemi fije peri e thurrur në avlëmend
Grumbull andrrash të fëmijërisë dëftuar
nën pizhame të buta
Jemi copëza fjalësh e shprehish të nanave,
Sall kërkesa, sall dashuri, sall dëshirë
e dëshpëruar për tu rritë e për të qenë si duhet
Ne jemi copëza zilesh mekanike të shkollës,
Copëza çantash të shkarravitura,
puçrra fytyre e hormone të dalldisura
Jemi copëza dëshirash për superheronj
Të gjithë deshëm me shpëtu botën në një moment
Jemi copëza lufte
Ditë si shekuj nën frikë, që ngelën identike
në memorien e pafund të vetëdijes
Ne jemi copëza takimesh dashurie,
Lëngim për prekje, nuhatje lëkure
e rrëzëllim fytyrash
Jemi copëza ftohjesh, ilaçesh,
e lëngimesh në shtrat duke pritur ditë me diell
Jemi copëza shujtash të përgatitura me delikatesë,
mëngjes, darkë, drekë, ditëlindje e mort
jemi copëza kremtash në përvjetorë
jemi copëza vegimesh
ankesash
vajesh
kujtimesh
gabimesh
lutjesh
fjalësh
të qeshurash deri në kupë të qiellit
Fragmente njerëzish,
gërryerje urie për të dhanë e për të marrë
mozaik i arnuar me ditë, plagë, natë,
përjetim e kohë
secili sosh, yrnek me ngjyra e ornamente të veta

Rrëfim qytetit

O qytet, o skutë, o rrëmujë
Thellë brenda m’janë gdhendë rrugët e tua
me beton t’plasaritur
Ke mbetë si fëmijë i papërkëdhelur
Sall vetëm e i gjymtuar
O qytet, o oborr im i vogël
Ngjyrat nuk po t’rrinë mirë
T’i kemi mveshë e ngjyrosë ballet
secili me imazhin e vet
Pa t’i njohur kufijtë
O gardhi im, që në andërr
t’i shoh rrugët ku s’shkruhet shqip
O qytet, o kuzhina ime e verës
Palë-palë është skalitë dashuria për ty,
krejt ngadale
Më djeg brenda kur të tjerët shqyejnë gurmazin
me kravatat e tyre pa shije
e pa asnjë kujtim rrugëve të tua me qorrsokakë,
pa asnjë kujtim te shkallët, te kinematë,
a te “Poleti”,
po me uri veç për me ta marrë ambrozin e nektarin.
O qytet, o dhembje
Kur isha ma e re, s’të kam njoftë sa duhet,
e pa t’njoftë kam dëshiru mos me t’taku,
E sot kur t’i kam mësu zhvatjet nëpër kohë,
T’i kam mësu kalitjet nëpër sisteme
qajë, kur njerëzit hedhin vnerë mbi ty.
O qytet, o andërr
Me pas mundësi vet t’i ujiti të gjitha parqet,
T’i mbledhi të gjitha hedhurinat,
të mbjelli lule, ta shtoj frymën
Me pas mundësi vet t’i fshijë sharjet në mure,
e flamujt që s‘të përkasin
Me pas mundësi vet t’i ndreqi fasadat,
t’i ndreqi dritat, t’i pastroj trotuaret, t’i qeli urat
O qytet, o shpi
T’i mbetesh nishan.
Ata që shkuan, gjithmonë kanë copëza tua
me vete,
qoftë pluhur, qoftë plumb,
qoftë grimca vizllimash të andrrave të tyre
të hershme
Një e di, që nuk mundem me të shajtë,
Kurrë s’ka me u ngopë dëshira me t’pa ma mirë,
E kurrë s’mundem me t’lanë

Janar

Ditë të avashta
Njerëz të avasht
Shtyejm shpirtat, duke i ngrohur me kafe turke
me tema rreth pozicione yjesh
Janar
muaj i gjatë
jetë e ngadalët
vit i panjohur që shtrihet
në udhën e mjegullt përpara
a do t’ia dalim mbanë?
Me globin në pandemi
në vendin tonë të patrajtë
me njerëzit pakurrizor
me motin gri e të lagësht
që i përgjegjet ekzakt gjendjeve tona
të brendshme
e të jashtme

Mbledh

Unë mbledh
rroba të thara në tel
lodra të fëmijëve të shkapërderdhura në dhoma
këpucë para derës
gjethe në oborr
llastik të flokëve të vajzës sime
letra pune mbi tavolinë të zyrës
mbledh pluhura në shtëpi
pluhura artefaktesh të civilizimeve të kaluara në muze
histori të njerzëve që dikur na falën copëza shpirti të vet
suvenire me magnet që ngjiten në frigorifer
kur udhëtoj diku
Mbledh
këngë të reja jokomerciale që më shijojnë
buzëkuq ngjyrë kafe me nuanca të ndryshme
momente të rralla që i kaloj në vetmi
fotografi të vetes kur isha e vogël
ide se si duhet bërë kompromis
si duhet të kursej paratë,
ujin edhe materialet e riciklueshme
Mbledh
momente kur e marr jetën shtruar
momente kur përbihem e nuk reagoj
kur më servohen ide se si duhet ndjerë
si duhet dashur
si duhet vepruar
e si duhet t’i qasem zjarrit të reflektuar
nga vendi, nga koha,
nga gjithë ajo që u mbjell në ajër
e më së shpeshi i mbledhi me gjithë fanatizmin
të shprehurat bosh në trajta të ndryshme
për qytetin tim që u pezullua
nga ata që e lan me një këmbë në qoshe
e në pritje t’i kthehet fryma

Ode mocanikëve

Ne nuk jemi gjeneratë që u mbështoll
me shami të kuqe
as nuk jemi gjeneratë e internetit
nuk i përjetuam as kinematë, ballot,
matinetë, shtafetat, kitonet
e as sletin në hapësira publike të qytetit.
Ne jemi gjeneratë e pafat
që kurrë në dyqane nuk blemë pllaka muzikore,
as si arritëm bendet rock ‘n’rroll,
as modën avangarde nëpër qytet.
Ne u mësuam me i pa prindërit e papunë
duke u gjindur nëpër dyqane të vocërra,
duke u marrë me naj shverc në të zezën,
me ndonjë vajtje-ardhje në Bullgari apo Turqi.
Ne jemi gjeneratë e pafat
Kurrë nuk e patëm mundësinë me hyp në tren
e me shkua me ble ndonjë veshje në Itali,
shumica prej nesh nuk pamë
më larg se katër shtete fqinje.
As gjeneratë e grunge-it,
as e jakneve të lëkurës e këmishave me kutija.
Biles as ato lokalet me njerëz e muzikë interesante
nuk na ra me i pa, as me i ndi kurrë
e as me i ikë racive të vazhdueshme të milicisë.
Ne jemi gjeneratë e pafat
ishim fëmijë gjatë luftës
jo krejt të vegjël sa mos me mbajtë në mend,
po aq të rritur sa me kujtu krejt…
duke u rritë në një qytet të ndarë,
me plot protesta, dhunë e uniforma
të ushtrive të ndryshme,
duke e pa qiellin plot me helikopterë,
e urën plot me flamuj, barrikada e gazetarë
Ne jemi gjeneratë e pafat.
Me neve filluan me u ri-shfrytëzu
objektet shkollore
e orët e mësimit i patëm vetëm 20 minuta,
biles edhe kompjuterin e internetin
i mësuam vetëm në teori.
Ne jemi gjeneratë e pafat.
Pjesë e një gjysmë vendi, duke u zhbë dita-ditës,
duke ju tretë nami, e duke i hup trajta.
Ne, pak e hiç e shijuam veriun,
po nuk e shijuam as jugun.
Ne mbetëm në hijen e dikurshme,
duke e kërku qytetin,
në pritje me fillu diçka.
gjithmonë, në pritje…
Ne jemi gjeneratë, të konsideruar me fat,
se të periudhës së lirisë.
Me ne u rimaruan shtëpitë, mahallat, sheshet
ku u vendosën bustat e heronjëve të rinj.
Duke u munduar me i ngjitë grimcat e katrahurës
që na u dha peshqesh
e me mbjellë diçka pa rrënjë,
me shpresë se diçka e mirë ka me u mbi.

Përjetë

Krejt në një filxhan
shpresën
hakun
dëshirën
të idhtën
të amblën
për të mos e kapërdirë
se sosen buzët
soset shpirti…

nora prekazi

Nora Prekazi u lind dhe u rrit në qytetin e Mitrovicës. Diplomoi në Etnologji, në Fakultetin e Filozofisë në Universitetin e Prishtinës dhe mbaroi studimet master në Antropologjinë urbane në Institutit për Studime Antropologjike dhe Arte të Bukura në Tiranë.

Nora është e angazhuar në fusha të ndryshme të artit dhe kulturës. Ajo filloi të shkruajë poezi dhe të pikturojë që kur ishte adoleshente. Poezitë e saj janë botuar në disa antologji dhe revista letrare si: MM, botimet e Polip Festival, Exlibris, ObserverKult, Magma etj.
Poezitë i janë përkthyer në gjuhën angleze, serbe dhe greke.
Është autore e librit me kujtime rreth veprimtarisë kinematografike në Mitrovicë me titullin “Në kujtim të kinemave të humbura”, botuar në vitin 2022.
Në vitin 2018 ka themeluar Fondacionin Dhemetra në Mitrovicë nga viti 2018, si dhe ishte ideatore dhe udhëheqëse e tri edicioneve të Festivalit të Letërsisë ZaNa në Mitrovicë, ku u botuan dhe përkthyen tetë vëllime poetike me krijimtarinë e poetëve pjesëmarrës, vendorë dhe ndërkombëtarë.
Tash është drejtore në Muzeun e Qytetit të Mitrovicës.
Përveç punës së saj profesionale, Nora njihet si aktiviste sociale dhe artiste.
Libri me poezi “Amë” është përmbledhja e saj e parë poetike.

ObserverKult

—–

Kliko edhe:

INTERVISTË ME DREJTORESHËN E MUZEUT TË MITROVICËS, NORA PREKAZIN (VIDEO)

—–

ARTI LUSHI: I BURGOSURI

(Kushtuar Ajolës)

Herën e parë që të pashë isha si ai që sapo ka dalë nga burgu.
Gjithçka më mahniste dhe plagoste njëherësh.
Ajri kish peshën e gjymtë të së dielës
Dhe nje mot plot dredhi na shpështillej ndër këmbë.
I parruar isha. I zhveshur nga dhuntia e të qenit brenda trupit tënd.
Kështu isha atë ditë. Ndaj edhe të thashë
“Sapo kam dalë nga burgu”
Nuk di a më besove apo jo, por qeshe.
“Një jetë është më shumë se dy çaste” u mundove të më ngushëllosh.
“Mbylli sytë” -më urdhërove
Dhe një lëmsh drite nga duart e tua ma përshkoi parzmin.
“Tashmë je i burgosuri im” këtë the pasi më puthe.
Atë ditë bëmë gjithçka që mund të bëjnë dy bij dashurie:

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult