Poezi nga Elvira Sastre
Vaftë në djall konformizmi: nuk dua të jem thjesht kujtim.
Dua të jem një dashuri e pamundur,
të bëhem dhembja jote e pakëmbyer,
të jem muza jote më ligë,
të shndërrohem në emrin që ti skalit në çdo shtrat ku prehesh,
në secilin krevat që nuk është i imi syresh,
të jem ajo që ti mallkon gjatë netëve pa gjumë,
ajo që ti ke për të dashuruar me ndjenjën e tërbuar,
që ngjall veç urrejtja e ndërsyer.
Nuk dua të më thuash që ti vdes për mua,
dua të të gjallëroj me dashurinë time,
sidomos kur të përlotesh,
atëherë kur më tepër ti ripërtërihesh.
Nuk dua që bota jote të përmbyset,
sa herë unë të largohem,
dua që atëherë kur të ta kem kthyer shpinën,
kjo gjë të ketë veç domethënien e lirisë për instinktet e tua më parësorë.
Nuk dua të të çliroj nga vuajtjet duke të dënuar,
dua thjesht të jem e vetmja nga e cila të varet trishtimi yt,
ngase kjo do të ishte mënyra më egoiste
dhe e guximshme për t’u kujdesur për ty.
Nuk dua të të lëndoj,
dua thjesht ta mbush trupin tënd me plagë,
që pastaj të t’i lëpij, dhe mos të shërohesh, që mos të të harroj.
Nuk dua të lë gjurmë në jetën tënde,
dua thjesht të bëhem shtegu yt, dua që të përhumbesh,
të dalësh, të ngresh krye, të shkosh kundër rrymës,
asnjëherë mos të më zgjedhësh,
që gjithmonë të kthehesh në gjirin tim për ta gjetur sërish vetveten.
Nuk dua të të premtoj asgjë,
dua veç të të jap gjithçka pa kompromise, as marrëveshje,
të ofroj në pëllëmbën e dorës tënde çdo dëshirë
që shqiptohet nga goja jote pa asnjë ngurrim,
të jem menjëherë e tashmja jote.
Nuk dua që ta ndiesh mungesën time,
dua që të mendosh aq shumë për mua,
saqë mos ta dish çfarë është mungesa ime.
Nuk dua të jem e jotja, as që të jesh ti e imja,
dua thjesht që ndonëse mund të jemi me këdo tjetër
të na duket më e lehtë të jemi së bashku.
Nuk dua të të shpëtoj nga acari,
dua thjesht të të jap motivet e duhura që kur të kesh ftohtë,
të shohësh vegimin e fytyrës time dhe lëkura të të harliset.
Nuk dua që çdo natë të jetë si mbrëmje dite të premte,
dua që gjithë javën tënde ta bëj si të dielat,
e të mendosh se çdo ditë është një kremte,
ndërsa të gjitha të kushtohen veç ty.
Nuk dua që nga nevoja të qëndroj pranë teje,
që mos të përmallohesh për mua,
dua që kur të pandehësh se nuk ke asgjë dhe ta kesh lëshuar veten,
të ndiesh duart e mia në shpinën tënde, që të mbajnë larg humenerës,
dhe të rrish mbi këmbët e mia,
teksa vallëzojmë në majë të gishtave në varreza duke përqeshur vdekjen.
Nuk dua të kesh nevojë për mua,
dua të kesh besim tek unë pafundësisht
gjersa bota e përtejshme të bashkojë strehat tona.
Nuk dua të të bëj të lumtur,
dua të t’i fal lotët e mi sa herë të qash me dënesë
dhe të përlotemi bashkërisht,
dua të të dhuroj një pasqyrë kur të duash një arsye për të buzëqeshur,
të paraprij shpërthimet e gajasjeve të tua kur të qeshurat ta pushtojnë kraharorin,
dhe ta pushtoj unë kraharorin tënd kur dhembja të brengosë sytë e tu.
Nuk dua që mos të më frikësohesh,
dua t’i dashuroj edhe përbindëshat e tu,
që asnjëri prej tyre mos të ketë emrin tim.
Nuk dua të ëndërrosh për mua,
dua thjesht të më frysh si qiririt dhe të jem dëshirë e përmbushur për ty.
S’dua që me ty të bëj dashuri,
dua të të zhvesh nga dashuria e munguar.
Nuk dua të jem thjesht kujtim, e dashura ime,
dua që kur të më vështrosh ta kesh parë edhe të ardhmen tënde.
Përktheu: Elvi Sidheri
ObserverKult
———-
Lexo edhe