Poezi nga Odise Plaku
Nuk më tremb as nata dhe as klithja e errësirës rrotull,
Heshtja jote më ndal frymën e zëri më meket.
Nuk bërtas të pyes “Ku je?” a “Çfarë po bën zemër?”,
As hëna e as yjet një fjalë nuk më thonë për ty.
Çfarë mallkimi gatoi pabesia në luginë të thonjve të prerë,
Cila shtrigë më mori nishan nga trupi një fije floku a rrobë,
Në flakë të magjisë shpirtin ma dogji me urrejtje,
Larg nga dashuria të endem në rrugë të vetmisë.
Pse hesht zemër?
Mos buzët në të reja puthje janë qepur?
Në copën e bërë gogël të magjisë së zezë i lidhur përvëlohesh?
Pa sy, pa vesh, pa gjuhë ndëshkuar si mëkatar,
Pse me dashuri të mbyta kaq vite me radhë.
ObserverKult
Lexo edhe:
ODISE PLAKU: TI DO MBETESH PRANVERA IME
Dhe nëse pranvera do të harrojë të vijë përsëri,
Stinën ti e pikturove me puthjet e tua në sytë e mi.
I çele lulet në gjoks dhe lëndinë të bleruar më shndërrove,
Natën e errët të dhimbjes pas maleve e kaplove.
Dhe nëse pranvera do të harrojë të më zgjojë përsëri,
Afshin e tokës lehonë do sjellësh mes kujtimeve siç di ti.
Ia merr shpirtit nektarin për ta pikuar në të ëmblën dashuri,
Është e kotë të mohohemi edhe pse vuajmë në largësi.
Dhe nëse pranvera do arratiset pa trokitur si gjethe në dritare,
E qeshura do mbush dhomën me zërin tënd kanakare.
Ti për mua do mbetesh stinë që kurrë nuk do të mungosh,
Edhe nëse në fund të botës një ditë do të shtegtosh.