Odise Plaku: Ti je jeta ime dhe në vdekje…

odise plaku

Poezi nga Odise Plaku


Mos ma mbyll derën se përsëri do trokas,
shiun e vetmisë mos e lër të më lagë.
Shpirtit tënd jam skalitur e kurrë nuk iki,
ndaj mos ma muros derën e dashurisë.

Në bar gjithë natën do pres ardhjen tënde,
gotat e mallit njëra pas tjetrës do të pi.
Derën lëre çelur në çdo orë do të vijë,
në gjoksin tënd strehën do të gjejë.

Mos dysho në ardhjen time, mos prit ditë!
Të hëna a të premte, a në fundvit do vij.
Kalendar dashuria jonë nuk njeh të tillë
ndaj derën mos e mbyll se prapë do të hyj.

Nuk ka derë që nuk çel dashuria ime për ty,
kridhem syve të tu, dehem buzëve të tua,
vdes dhe përsëri në krah më gjen mëngjesit,
me puthje të them: “Ti je jeta ime dhe në vdekje!”

ObserverKult

Lexo edhe:

ODISE PLAKU: TI DO MBETESH PRANVERA IME

Dhe nëse pranvera do të harrojë të vijë përsëri,
Stinën ti e pikturove me puthjet e tua në sytë e mi.
I çele lulet në gjoks dhe lëndinë të bleruar më shndërrove,
Natën e errët të dhimbjes pas maleve e kaplove.

Dhe nëse pranvera do të harrojë të më zgjojë përsëri,
Afshin e tokës lehonë do sjellësh mes kujtimeve siç di ti.
Ia merr shpirtit nektarin për ta pikuar në të ëmblën dashuri,
Është e kotë të mohohemi edhe pse vuajmë në largësi.

Dhe nëse pranvera do arratiset pa trokitur si gjethe në dritare,
E qeshura do mbush dhomën me zërin tënd kanakare.
Ti për mua do mbetesh stinë që kurrë nuk do të mungosh,
Edhe nëse në fund të botës një ditë do të shtegtosh.