Odise Plaku: Mos ma prek lirinë e shpirtit

E thërrasim me shpirtin tonë “Liri!”,
e kërkojmë shpesh në heshtje,
Si i ngrati skllav që kyçet
nga dhimbja e vargonjve fërkon,
Me këmbët gjakosur,
me vragat pluhurosur dëshirës së moteve,
Të rend përmes fushës së grunjtë
dashuruar me diellin.
Liri!
Dhe shpirti vilanoset
natës së gjatë të jetuarit të vetes,
Pa frikën e madhe
se kupon tatimore do të japin për jetën,
Pa tmerrin se llogarinë ta kanë bërë
të tjerët si hije nate ruajtur,
Për numrin e puthjeve,
përqafimeve,
uljeve
dhe ngritjeve në shtrat.
“Liri!”
A ka liri kur sytë ia hamë njeri-tjetrit
me xhelozinë pse është i lumtur, 
Pse prangat i ka hedhur oqeanit
kur në kroçierë u harbua vetes,
Kur dallgën e detit e gjunjëzoi
me tallazet e pasionit blu,
dhe kiçit ulëriti si Robinson
“Mos ma prekni lirinë se ju vras!”.