Odise Plaku: Vogëlushit tim

Për jetët e vogëlushëve të ndarë padrejtësisht nga kjo jetë. U prehshin në botën e engjëjve!

Ti mos qaj, vogëlushi im,
retë e zeza, që kafshojnë qiellin
e pjellin gjarpërinj të kuq,
s’do të të trembin më.

Unë i treta ato
me rrezet e syrit tim
e frikën e godita
me rrahjet e zemrës.

E përzura gogolin e ëndrrës së ligë,
që gjumin e vonë të trazon,
e ndoqa në një luginë mjegullash,
gremisur honeve të thella është fundi i tij.

I përzura të gjitha ligësitë frikëmbjellëse
dhe një kopsht me lule
e një tufë pëllumbash krahëbardhë
në ëndrrën tënde solla,
ndaj ti mos qaj, vogëlushi im,
sytë e tu i dua si qeshja e dëlirtë e pranverës.