“Oh”, poezia e Fatos Arapit kushtuar Tanjës, të dashurës bullgare

tanja fatos arapi
Fatos Arapi

Tanja ishte dashuria e jetës së Fatos Arapit.  Shkrimtari i madh kur kishte bërë shkollën në Sofje kishte bashkëjetuar me Tanjën për disa vjet. Dhe nuk e kishte harruar dot.

Poeti Bardhyl Londo disa herë ka folur rreth një takimi emocional të Fatosit me Tanjën, ku ishte dëshmitar i emocionalitetit të poetit.

“Në vitin 1987 më ra rasti të shkoj në Bullgari me poetin tonë të madh e të paharruar Fatos Arapi në një takim shkrimtarësh ballkanikë. Fatosi kishte studiuar atje dhe Tanjën që e kishte dashur e që nuk e kishte fshehur asnjëherë edhe pas prishjes së marrëdhënieve. Emrin e saj e përmendte shpesh në poezi: Dashuritë me emrin Tanja, tragjeditë me emrin Tanja”.

Këtu mund ta gjeni rrëfimin e Bardhyl Londos për këtë takim: TANJA, DASHURIA E FATOS ARAPIT

Ju ftojmë ta lexoni poezinë e Fatos Arapit, kushtuar Tanjës, titulluar “Oh”, të botuar në të përmuajshmen letrare artistike “Nëndori”, nr.5, maj 1972.

Fatos Arapi: Oh!
T.

Çfarë s’bëra të të harroj ty…

Në mesin e ditës e natën me terr,
mes buzëve të mia mbolla emra të gjelbër,
të panjohur të tjerë.
Kërkova fjalë, që s’t’i pata thënë ty kurrë
dhe unë (mos u çudit!)- unë,
nisa të flas me zëra gjethesh të vyshkura,
që bien mbi ne në udhë.

Na mbulojnë zërat e vjeshtës me pluhra të verdhë trishtimesh.

Çfarë s’bëra që të harroj ty…

Në veten time varrosa sarkofagë të tërë kujtimesh.
Ranë, u fundosën ata, si në funde deti.
E në ballë të çdo dite krijove nga një sy tjetër:
ndryshe të shoh udhët e njerzit,
fabrikat, neonet…ndryshe të shoh trajektoret
kur qiellin presin.
Dhe nisa të flas me shirat e gjatë prapa dritareve.
Dhe t’u them ne e dimë edhe dashuritë vdesin.
Ne e dimë dhe ato na lënë…Ne e dimë…
e çdo çast drejt tyre rendim…
Ç’mund të ishim ne pa dashuri?
oh?
Po këto t’i kam thënë dikur ty…
Të gjitha…të gjitha…të gjitha…
Oh!
Po çmund të them tjetër tani?!

Përgatiti: ObserverKult