Është aq vonë sa të të rilind
Vetëm nëpër ngjyrën e plumbit
nëpër fletet që ti ndoshta kurrë s’i lexon
Është aq vonë sa për të humbur
në tingullin e harruar të sendeve…
Dyert u mbyllën
xhamat vetëm nga jashtë po ngjiten me natën
ndersa ti, ti sesi je
në gjithë këtë përhumbje prej muzgu të athët…
E ndeza driten
për të shfletuar relievin letargjik të tipareve
por s’mund të gjykoj
sepse brenda meje ka terr
gjer në dëshirën e ngadaltë të fundosjes
ku ti mbetesh një hije e bruztë ndajnate…
Tashmë të ikshëm si dita që thyhet
kthejmë kokën pas
pa e ditur, pa e mësuar
çastin e funeralit pa varr
Është aq vonë
ka mbrritur kohë e epitafeve.