Sokrat Habilaj: Flokët tua

jo

Ti fle pranë meje dhe ashtu, pa dashje,
Flokët në jastëk, i shpërndan si shkumë.
Mbase ndihesh mirë, kur të kam nën faqe,
Mbase dashuri, do të bësh në gjumë.

Mbase dhe kur fle, s’duron dot për mua,
Dhe aty në flokë, e lë puthjen tënde.
Mbase do të kthesh dhe ëndrrën, në grua,
Të më pëshpëritë:-Ty të kam në mendje!

Mbase do të shohësh dhe kur mbyllë sytë,
Dhe flokët gjithë sy, bën me djallëzi.
Mbase do të thuash:-Me ta, do të mbytë,
Nëse edhe në gjumë, mendon tradhti.

Mbase dhe më tepër, kur fle ti më do,
Mua të pagjumin, që flas kot s’koti.
Kur të zgjohesh nesër, mos m’u trishto,
Nëse mes flokëve, do gjesh pika loti.