Olimbi Velaj: Ka kohë që s’vij në varreza…

Poezi nga Olimbi Velaj

Ka kohë që s’vij në varreza
s’mendoj dot se je atje…
Nuk besonim te jeta përtej,
vetëm kur u bëre njësh me dhimbjen, po lëkundeshim…

Muajt e lëngatës kambana të përzishme qenë
bashkë e jetuam ikjen, ditë pas dite
duke përgjuar fatin, duke u lutur
sipas mënyrës sonë jobesimtare

Po Zot s’kish pasur e asgjë tjetër
nuk blasfemuam, pritëm në heshtje
a s’bën kështu çdo i lajmëruar?…
Tani vitet janë dyndur mbi gjithçka.

Shtizat rrinë të paprekura në një fund sirtari
bashkë me mbulesën që s’arrite ta mbaroje
shpesh themi se dhoma e gjumit duhet ndërruar,
po s’na bën zemra t’i nxjerrim mobiliet…

Pavetëdijshëm shpresoj se mund të takohemi
se do kthehen ato ditë të shkujdesura
kur të kishim pa kushte dhe s’e dinim
që vdekja mund të provohej
përtej lajmërimeve e keqardhjeve kalimtare për njerëz të largët…

*Titulli i origjiinalit “Nënës”

ObserverKult


Lexo edhe:

PYETËSORI I PRUSTIT: OLIMBI VELAJ

Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet poetja Olimbi Velaj.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Nuk kam qenë asnjëherë në gjendje të krijoj një ide definitive për lumturinë, aq më tepër për lumturinë e përkryer. Megjithatë kohë pas kohe mendoj se njeriu mund të jetë relativisht i lumtur, mund të gjejë çaste të një lumturie të madhe, e cila mund të jetë edhe e përkryer për nga intensiteti më shumë sesa për nga kohëzgjatja.

Ajo që kam kuptuar është se njeriu mund të jetojë mirë nëse arrin ekuilibrin me veten, nëse i kupton kufijtë e vet dhe nëse e kupton se i vetmi krahasim është midis atij vetë dhe kufijve të tij si qenie; nëse nuk e harxhon kohën dhe energjinë duke konkurruar me të tjerët, por vetëm duke i shkuar deri në fund vetes, mendoj se secili është në rrugën e duhur drejt qetësisë e ekuilibrit, gjë që vetëm pak njerëz e kuptojnë dhe që vetëm shumë pak e arrijnë realisht….

Tekstin e plotë mund ta gjeni KËTU