
Nga Albana Beqiri
Me poezinë e Alban Balës kam një njohje të hershme që i ka mbushur e tejkaluar me kohë tre dekada dhe në mbamendjen time prej studenteje letërsie të dashuruar me poezinë, ajo ishte një poezi tjetër, krejt ndryshe nga çka lexoja rëndom aso kohe. Nuk ishte as, ta quajmë fabrikim nga dogmat socrealiste e as pasqyrim i modës së re anti-socrealiste; ishte thjesht poezi. E kam ndjekur ndër vite poezinë e tij, gjithmonë me të njëjtën kënaqësi që të jep poezia e bukur, shkruar me finesë e ndjeshmëri që sa vjen e rafinohet.
Librin e tij më të fundit, i titulluar “Puthlutja ime” e lexova dhe perceptova si një trup të vetëm lirik, ngritur mjeshtërisht mbi një aks themelor: shkrirjen e dashurisë njerëzore me përjetimin metafizik. Që në titull, një fjalë ekskluzive e krijuar prej tij, hibride mes “puthjes” dhe “lutjes”, poeti parathotë projektin e vet estetik ku kategoritë estetike e shpirtërore si erotikja dhe e shenjta nuk e përjashtojnë, por përkundrazi e përforcojnë bindshëm njëra-tjetrën. Në këtë vëllim poetik, Bala sjell poezi të cilat e tejkalojnë kuadrin e lirikës tradicionale në kuptimin e zhanrit, për t’u shndërruar më tej në një lloj ontologjie e dashurisë. Apo edhe në përpjekje për të shpjeguar çfarë është të jesh nëpërmjet tjetrit. Në këtë kuptim, “ti”-ja më shumë se adresë e “tjetrit” kthehet në kategori ekzistence. Kjo vihet re qartë në mënyrën se si poeti e shkrin identitetin: “Jam ti / si shkëlqim/ mbi një qeshje fëmije.” (“Pa ty është vështirë” fq. 34). Por, vargu i mësipërm nuk duhet lexuar vetëm si metaforë e afërsisë, pasi ai në vetvete e shenjon estetikisht anulimin e kufirit ontologjik. Subjekti lirik nuk e përshkruan tjetrin, por më tepër se aq në mënyrën me të natyrshme, bëhet ai.
Një nga fijet më interesante që përshkon vëllimin është ta quajmë topografia e trupit. Trupi i të dashurës nga objekt sensual në kuptimin e zakonshëm, është shndërruar artistikisht në hartë ekzistenciale: “Në pyjet e flokëve, në detet e syve/ Në lumenjtë e rinj të moshës mbi fytyrë…” (“Bisedë rrugës” fq. 222). Në poezinë e njëjtë, dashuria artikulohet si gjeografi e brendshme: “Ti je gjeografia e udhëtimeve të mia/ Mbi fytyrë t’i lexoj krejt vendet ku kam shkuar”. Këtu figuracioni nuk është i rastësishëm, por një sistem metaforik i qëndrueshëm ku përvoja intime përkthehet në hapësirë. Prandaj edhe elementet e natyrës nuk janë krahasime dekorative, por mënyra më e mirë estetike për ta bërë trupin një univers. Poeti nuk përdor krahasimin e nuk thotë “si pyje”, por “në pyjet e flokëve”, pra hyn natyrshëm brenda figurës. Kjo teknikë e brendësimit është nga karakteristikat kryesore të stilit të tij. Në penën e Balës natyra shndërrohet në gjuhë universale, e cila shërben për të shprehur emocione. Deti, malet, dhe bimët përdoren për të simbolizuar gjendje shpirtërore. Te poezia “Paska qenë deti” (fq. 251), deti përshkruhet si “kontinenti ynë”, duke e kuptuar e përjetuar dashurinë si një territor të pafund dhe të panjohur. Ndërsa trupi njerëzor përveçse hartë ekzistenciale shndërrohet edhe në tempull ku dashuria adhurohet. Për shembull, në “Dy portikë” (fq. 7), vetullat e të dashurës krahasohen me një katedrale: “Vetullat e tua më kujtojnë/ një katedrale”. Kjo simbolikë vetëm sa e shenjtëron trupin, duke e bërë atë vendin ku ndodh komunikimi me të shenjtën. Një tjetër element që bie në sy është përdorimi që Bala i bën stinës si metaforë dhe orëmatëse e ndjesive. Poezitë “Éndërr e mirë”(fq. 21), “Dhjetor 2018” (fq. 240-241) dhe “Tetor” (fq. 231) përdorin ndërrimin e stinëve si mënyrë për të shprehur ciklin e dashurisë, kujtesës dhe pritjes. Ilustrime si fluturat që lënë pas ajrin, zambakët që bulojnë prej drite mbi ujra ose valët që përplasen mbi brigje, nuk janë thjesht figura dekorative: përkundrazi përdorimi i tyre ka funksionin që ta përforcojë ndjesinë e një bote të gjallë, ku çdo element natyror lidhet me emocionet dhe veprimet e njeriut.
Ndër temat më të bukura dhe më të realizuara të vëllimit “Puthlutja ime” është identifikimi i dashurisë me mungesën, pasi mungesa aty artikulohet poetikisht si formë pranie apo ide. Poeti krijon lehtësisht një estetikë të mungesës ku tjetri është më i fortë pikërisht kur nuk është: “Kam nisur të të kërkoj dhe kur je pranë meje”
(“Pa ty është vështirë”). Kjo përbën edhe një nga paradokset më të arrira të vëllimit: prania nuk e zhduk mungesën. Dashuria është gjithmonë e paplotë, gjithmonë në kërkim. Në të njëjtën linjë kemi edhe zgjerimin e perceptimit: dashuria bëhet një mënyrë e re e të parit. Realiteti nuk është më ai që është, por ai që filtrohet nga malli. “Kam nisur të të shoh dhe atje ku nuk je.” (“Vegime” fq. 56) Ndërkaq mallin Bala nuk e sheh si dhembje, por më shumë si gjendje ekzistence: “Të ka marrë malli; të lexohet poshtë syve/ pesha e ditëve larg meje…”. (“Të ka marrë malli”, fq. 188) apo “Nuk pres të ndodhë asgjë. E di se udhëtimi, është fati i njeriut. Fati im/ është të më marrë malli për ty” (“Më merr malli për ty”, fq. 167), apo edhe “Zoti e di sa të lehtë do ta kemi/ ta jetojmë mallin” (“Më prit nesër”, fq.90). Por, cilado qofshin format e mallit, ai vjen nga mungesa, e në një hënë të plotë “Alfabeti i mungesave shkruan me hieroglife mbrëmjet”, (“Hëna prapë e plotë e unë përgjysëm”, fq. 80). Në një poezi të tillë, lexuesi e gjen veten në një univers ku heshtja dhe çdo gjurmë e kujtesës merr formë vizuale: brigjet e lumenjve janë shkruar me tinguj që vezullojnë, dhe Hëna e plotë shfaqet si pasqyrë e vetvetes së pjesshme të njeriut, duke krijuar një metaforë të brendshme të ndarjes dhe bashkimit e ku prania e mungesës determinon gjithçka. Në poezinë “Pa ty është vështirë”, subjekti lirik shpërfaq varësi ontologjike: “Pa frymë do jetoja, por pa ty është vështirë”. Kjo formulë paradoksale, jetesa pa frymë si e mundshme, por jo pa tjetrin, sintetizon poetikën e atillë ku dashuria është më thelbësore se vetë ekzistenca biologjike.
Një tjetër dimension ku poezia e Balës fiton thellësi është ai religjoz, e i cili është artikuluar estetikisht në lidhjen midis dashurisë dhe sakralitetit. Në poezitë “Tash i përkas vetëm Zotit” (fq. 137) dhe “Ti ma sjell Zotin afër” (fq. 32), Zoti nuk është një instancë e largët transcendente, por prani reale që ndërmjetësohet përmes të dashurës. Vargu “Ti ma sjell Zotin afër” e zhvendos përvojën fetare nga institucioni tek intimiteti. Kjo është një zgjedhje interesante, që e vendos poezinë në traditën mistike e ku dashuria njerëzore bëhet rrugë drejt hyjnores. “Jam një lutje që flet ndër frymëmarrje të bardha” (“Ti ma sjell Zotin afër”). Këtu kemi një transformim të subjektit në vetë akt lutjeje. Dashuria i tejkalon kufijtë e ndjenjës për t’u shndërruar në formë adhurimi. Por ajo që e bën interesante këtë poezi është se nuk kemi një Zot i cili dominon, por një Zot që zbulohet përmes tjetrit. Dhe vizioni i tillë është më afër mistikës sesa religjionit dogmatik. Më tej, në poezinë “Tash i përkas Zotit”, subjekti lirik e vendos veten në një përulësi të pastër: “Por tash,/ Tash i përkas veç Zotit!”. E, edhe ky “dorëzim” është në funksion të simbiozës tashmë të pranuar si frymë dhe ide e disa poezive: Zoti shihet përmes tjetrit dhe tjetri përmes Zotit. Pikërisht kjo simbiozë i jep poezisë së Balës atë lloj graviteti shpirtëror, i cili shkon përtej lirizmit sentimental.
Një aspekt tjetër që meriton vëmendje dhe thellim është raporti me kohën, moshën dhe përjetësinë. Në shumë poezi, koha shpërbëhet, e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja ndërthuren në një dimension të vetëm emocional: “Në një tjetër jetë do të kemi qenë bashkë… Kemi jetuar bashkë; ndoshta në të ardhmen” (“Në një tjetër jetë do të kemi qenë bashkë” fq. 118) dhe: “Që prej lindjes më duket, unë të mbaj në lëkurë/ aromë ëndrrash të pafajshme…” (“Që prej lindjes më duket” fq. 19). Këto dhe plot vargje të tjera krijojnë ndjesinë ciklike të ekzistencës (përjetësinë ndoshta), ku dashuria nuk fillon dhe nuk mbaron, por është gjithmonë aty. Ndërkaq motivet e moshës, plakjes dhe ringjizjes janë të pranishme në disa prej poezive. Bala nuk e sheh plakjen si humbje (as në aspektin dashuror), por si thellim të saj apo edhe si një formë e epërme e intimitetit. Te poezia “Po plakem” (fq. 85) poeti ndërton një imazh të jashtëzakonshëm: “Po plakem, po plakem në duart e tua…/Një gisht i yti ma ndezi edhe një thinjë.” Kjo është një prej figurave më të arrira të librit: mosha, e cila këtu është një mënyrë tjetër për të qenë bashkë, lehtësisht bëhet bimë e flakë e prekur nga dashuria, një thinjë që në vend që të zbehet edhe më shumë, përkundrazi ndizet si zjarr. Ndërsa te poezia “Eh si kam me dalë” (fq.125), koha shihet si ringjizje e vazhdueshme: “Kam me lindë përsëri në një tjetër vend… /me hy nën të njëjtën lëkurë e me të njëjtët sy.” Motivi i “kthimit”, i rikthimit për t’u dashuruar sërish, të kujton ciklin mistik të dashurive të mëdha, që nuk shuhen, por vetëm rishfaqen. Subjekti lirik duket sikur qëndron në gjendje të vazhdueshme ekstaze apo mungese, pa kaluar në faza të ndryshme transformimi. Gjithsesi, kur arrin të kondensojë përvojën, rezultati është mbresëlënës dhe poezia fiton forcë të jashtëzakonshme. Për shembull: “Dhe të mendosh se sapo u bë vjeshtë.” (“Rrëfim” fq. 207). Ky varg i vetëm e mbyll poezinë me një efekt të thellë emocional. Nuk ka nevojë për figuracion të dendur; mjafton një zhvendosje e lehtë e kohës për të krijuar ndjenjën e humbjes. E ndërsa te “Në fakt asgjë nuk mungon sonte / Veç unë.” (“Homesick” fq. 191) kemi një nga kulmet e vëllimit: përmbysje e plotë e perspektivës, ku mungesa nuk është tjetri, por vetë subjekti. Marrë shkas nga kjo poezi, mund të konstatohet se arritje e dukshme e Balës është aftësia e tij për të krijuar imazhe të freskëta dhe shpesh të papritura. Në “Rrëfim” (fq. 207), ajo shfaqet qartë: “Gjithë natën dëgjova nofullat e erës / Duke kafshuar gishtat e njomë të pemëve”. Ndërsa në “Mesnatë” (fq. 126), kemi një konkretizim të bukur të ndjenjës: “Jam një urë: e ndërtojnë gjurmët e tua. / Por ti vjen me lumin…”. Këtu raporti mes “urës” dhe “lumit” krijon tension dinamik mes qëndrueshmërisë dhe rrjedhjes, metaforë kjo e marrëdhënies që është njëkohësisht ndërtim dhe rrezik për t’u përmbytur.
Poezitë e vëllimit poetik “Puthlutja ime” janë të një intensiteti të lartë emocional dhe imagjinativ. Ato ndërtojnë apo edhe ndërtohen vetë nga një botë ku dashuria është njëkohësisht trup, gjuhë dhe besim e që shpërshfaqet si përvojë totale: trupore, shpirtërore dhe metafizike. Bala sidomos në këtë vëllim shquhet për aftësinë që ka për të krijuar imazhe që lëvizin mes konkretes dhe të pakapshmes: “dora jote që lëviz padukshëm/ Atje ku unë nuk shoh dot asgjë…”” (“E padukshmja” fq. 215).
Vëllimi poetik “Puthlutja ime” duhet konceptuar e lexuar si narativë e strukturuar poetike që ndjek evolucionin e dashurisë: nis me dashurinë romantike, ku përfshihet edhe mungesa e malli, vazhdon me transformimin shpirtëror ku poezitë e kësaj natyre shënojnë një kthesë në të cilën dashuria bëhet udhëtim mistik, për të përfunduar me përjetësinë. Në poezinë që mban titullin e librit, “Puthlutja ime” (fq. 91), Bala e balancon fundin duke e artikuluar estetikisht besimin e tij në përjetësinë e dashurisë. Për të dashuria është mënyra e vetme për t’u përballur me vdekjen, madje e dhe për ta kapërcyer atë. “Ne nuk do vdesim kurrë…/ se dashuritë nuk vdesin/ veç ngjiten në qiell.”
Evolucioni i tillë strukturor përveçse kronologjik, para së gjithash është psikologjik, pasi reflekton udhëtimin e poetit nga egoja individuale tek ndërgjegjja universale. Alban Bala i shndërron vargjet në dritë, ajër dhe formë, duke i dhënë poezisë një identitet të theksuar vizual, që e kthen leximin në përvojë perceptuese.
Përmbledhja poetike “Puthlutja ime” e Alban Balës ndërton një univers vetanak ku dashuria, kujtesa dhe spiritualiteti ndërthuren në një hartografi të brendshme të ekzistencës njerëzore. Në këtë kuptim, poezia e Balës duhet të lexohet si dialog i trupit me shpirtin, ku intimiteti bëhet filozofi, kujtesa shndërrohet në gjeografi, dhe dashuria përmes figuracionit organik dhe ritmik, ngrihet në shkallë metafizike. Libri ndjek logjikën e lëvizjes: hije, dritë, lodhje, pritje, ringjenerim; ndërsa subjekti lirik kërkon vazhdimisht “tymin e shpirtit” te tjetri, duke e bërë dashurinë mënyrë leximi të botës.
Vëllimi poetik “Puthlutja ime” është botim nga Botimet M&B.
ObserverKult
Lexo edhe:
Albana Beqiri: Gruaja si subjekt mitik dhe poetika e erotizmit






