Pa lamtumirë… poezi nga Agim Vinca

Agim Vinca

Të ikësh nga kjo botë e lashtë
Të shkosh cok te rrënjët, bimët.
Kjo është një gjë kaq e thjeshtë
Siç është të ngrënët dhe të pirët.

Të ikësh shpejt, pa lamtumirë
Të fluturosh posi një zog.
Pa u drobitur, pa u vdirë
Për kurrgjësend në këtë botë.

T’ia mbathësh nga ky qytet i pistë
Të ngjitesh lart, atje në kodër.
Pa testament, hoxhë as prift
Si duke luajtur ndonjë lodër.

Të ikësh gand, pa lamtumirë
Nga një copë plumbi a predhe,
Që të fshik në tëmth a parzmë
E të lë shakull para dere…

Të ikësh përgjithmonë, pa fjalë
Nga një infarkt a marramenth.
Apo nga ndonjë shputë e gjallë
I shtypur si një buburrec.

Të ikësh pa zë, të mbyllësh sy
Të shkosh sakaq një mëngjes.
Të thonë për ty te EDI 2:
“Ishte pak kokëfortë, për besë!”

Të shkosh papritmas nga kjo botë
Të mbillesh te rrënjët, bimët.
I lagur nga ca pika lot
A një rrëkezë shiu të imët.

2005

ObserverKult

Lexo edhe:

AGIM VINCA: NJË NATË