Leon Lekaj: Pa ty
Nuk e di sa herë
Akrepat e orës qëlluan
Mbi dritën
E në terr e zhytën
…qe ndoshta mesnatë
e Ti ishe aty
veshur me mungesën tënde
Unë…
Zhveshur prej pranisë
Që të mos ishim ballë-përballë.
Ikja dhe ardhja
luanin lojë tinëzare hapash
dhe zhvleftësonin heshtjen time
të qëllimtë
me sy nga rruga.
Nuk e di se sa herë
akrepat e orës qëlluan
mbi natën
dhe në dritë e nxorën
…qe ndoshta mëngjes
e Ti sërish ishe aty
me mesazhin e orëve të bashkëbisedimit
që s’mbërritën kurrë të vrisnin
lojën imagjinare
të hapave
dhe heshtjen time të qëllimtë
me sy nga rruga…
ObserverKult
_ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _
Lexo edhe:
Ardiana Shala Prishtina: E zoja sa shtatë burra
Në gojën e popullit
e gjenë gruen
në vend të nderit të vizatume:
si grue e zoja sa shtatë burra.
A thu
t’kishte qenë e zoja veç sa pesë burra,
a ishte përmend?
Nji grue e zoja
veç sa nji burrë i zoti
nuk bahet as fjalë.
Burrat numrohen nji nga nji
tue u matë veç me fjalën e vet.
Nji burrë i zoti, sa nji burrë i zoti.
Nji ushtri plot me emna të hatrit
puna e djalit, nera e t’atit.
Nuk ka burrë të zotin sa nji grue.
E jo se jo, burrë të zotin sa shtatë gra.
Ku ke pa?
Grueja duhet me u matë
me nji katund.
E ja asht e zoja sa shtatë burra
ja s’asht kund.
E kështu, mbi shpinën e kësaj grues
që s’asht kund
u rrit nji komb – rrnoftë i gzuem –
nën hijen e nji përralle
e cila këtu
në pikën teme sot merr fund.
Mue më mjafton grueja
e zoja sa fjala e vet
për me e ndi, për me e pa
për me e nderu, e me e ngu
kur ajo flet.
Për nji faqe burrë, shtatë…
Shkrimin e plotë e gjeni KËTU.
ObserverKult