Pablo Neruda: Do të vdes nga dashuria, sepse të dua ty…

pablo neruda

Poezi nga Pablo Neruda

Nuk të dua për tjetër por vetëm sepse të dua.
Unë shkoj nga mosdashuria për ty tek dashuria,
Nga shumëpritja deri tek mospritja për ty
Nga akulli tek zjarri kalon kjo zemër imja.

Unë të dua vetëm sepse je ajo që dua;
Unë të urrej pa masë, dhe duke të urryer të lutem ty,
Dhe njësia matëse e dashurisë ndaj teje
Është se pa të shikuar të dua si një qorr pa sy.

Ndoshta drita e janarit zemrën time tret
Me rrezen e saj mizore, duke vjedhur
Çelësin tim të qetësisë së vërtetë.

Në këtë histori ai që vdes jam vetëm unë
Dhe do të vdes nga dashuria, sepse të dua ty,
Të dua ty, e dashur, në zjarr e në gjak pafund.

Në shqip nga: Skënder Buçpapaj

ObserverKult


Lexo edhe:

SABIT RRUSTEMI: QË T’KETË KUSH PËR T’NA PËSHTYRË

Poezi nga Sabit Rrustemi

U mbulue në gaz e në tym e flakë
Gaza
dala e plastë

Një e qeshur e vetme s’u pa
në fytyrat e njerëzve
që ende ruajnë brenda vetes
një trohë zemër

Planeti Tokë u rrudh
prej egërsisë së pjellës që ushqen
u step

Xhindin që u ngrit peshë
nga Shpirti i Lig
kush ta urtojë
kush ta ndalojë
s’ka

Gjithçka e mirë
e ëmbël dhe e dashur
shkoi për lesh e për pluhur
e nuk mbet as hiri

Tej kësaj bote
në tjetër planet ra
nga turpi

Buzët u dogjën prej lotësh
u përgjakën puthjet
rruzullit tretën
e fjalët
prej gjuhëve të prishura
u zhbënë
as në të lehura s’gjasojnë

Zotërit e kësaj kohe
gota prej qelqi
për të satën herë u thyen
ngelën pa valë
e u çmendën mendsh

As trupi i një nëne
që u bë varr i një fëmije të palindur
as edhe ajo foshnja e nemitur
nën rrënoja
që s’di më as të qajë
(e lëre të na qeshë)
s’na zgjoi

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult