Pablo Neruda: Jetën time do e ngrys nëpër ty

pablo neruda:
Pablo Neruda

Pafundësi” nga Pablo Neruda

I sheh këto duar? Kanë matur
truallin, kanë ndarë
mineralet dhe drithërat,
kanë bërë ujdi si dhe luftuar,
largësitë kanë rrëzuar
mes detesh, mes lumenjsh,
ndonëse,
kur të përshkojnë
ty vogëlushe,
kokërrizë gruri, laureshë
nuk ia dalin të t’kuptojnë,
shkëputen veç të cekin
pëllumbeshat binjake
që prehen a flatrojnë mbi gjoksin tënd,
përshkojnë largësitë mes këmbëve të tua,
kruspullohen nën nurin e rripit tënd.
Për mua je thesar m’i kolmë
me paanësi se vetë deti dhe vreshtat,
je e bardhë, e kaltërt dhe e shtrirë si
trualli që pret të korret.
Në gjithë këtë trevë,
nga shputat der’ te fytyra jote,
teksa eci, dhe eci, dhe eci
jetën time do e ngrys.

Përktheu: Edon Qesari

ObserverKult

——————————

Lexo edhe:

PABLO NERUDA: KURRË MOS U ANKO PËR VETMINË APO FATIN TËND…

Kurrë për askënd mos u anko, për asgjë mos u qaj asnjëherë, sepse thelbësisht ke bërë gjithçka që deshe në jetën tënde. Prandaj nevojitet ta pranosh andrallën e përtëritjes së vetvetes dhe guximin për t’ia nisur nga ndreqja e gabimeve të tua, ngase ngadhënjimi i njeriut të mirëfilltë ngjizet pikërisht në hirin e gabimeve të tij.

Kurrë mos u anko për vetminë apo fatin tënd, thjesht përballu guximshëm dhe pranoji ato. Në fund të fundit gjithçka është pasojë e drejtpërdrejtë e veprimeve të tua, dëshmi e mëtejshme se gjithmonë ke për të triumfuar.

Mos u hidhëro për dështimet e tua, gjithaq askujt mos ia taks ato padrejtësisht, sepse nevojitet ta pranosh veten tënde mirëfilli tani, përndryshe do të vijosh të gjesh shfajësime fëminore. Mbaj përherë mend se çdo çast është i vlefshëm për t’ia nisur sërish dhe që askush nuk është aq i pazoti sa të mposhtet patjetër.

Tekstin e plotë e gjeni KËTU